Boksieri shqiptar Florian Marku tha sot se “në 25 gusht do të shikoni një shqiptar të vërtetë, që do japë shpirtin për fitoren”. Në një konferencë për shtyp, dy ditë përpara ndeshjes me meksikan Miguel Parra Ramirez në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, Marku theksoi se “jam shumë i lumtur që kthehem në Shqipëri pas 4 vitesh e gjysmë. Ju premtoj që do jap shpirtin për fitoren e radhës. Që të humb në këtë stadium ‘Air Albania’ kundërshtari duhet të japë ‘nokaut’ dhe unë të dal me barrelë nga ringu, se ndryshe nuk e pranoj humbjen”. Duke folur për titullin WBC, Marku tha se “ky brez ka normalisht një vlerë shumë të madhe, sepse më çon në majat e boksit dhe vijnë ndeshje akoma më të mëdha pas kësaj. Kam dëshirë që në shtëpinë time ta shtoj koleksionin me shumë rripa dhe ta bëj të duket sa më bukur”. Sa i përket kundërshtarit meksikan, Marku tha se “meksikanë gjithmonë sjellin një luftë të fortë, vijnë nga një shtet i varfër me vështirësi dhe janë njerëz të fortë, por ata nuk e dinë si jemi ne shqiptarët. Të enjten ai do shikojë në 25 gusht një shqiptar të vërtetë që do japë shpirtin për fitoren”. Marku foli edhe për suksesin e Luiza Gegës, e cila u shpall kampione e Evropës në atletikë. “Kur arrin diku të gjithë të përkrahin, por derisa t’ia dalësh rrallë janë ata që të përkrahin. I uroj suksese, siç ia urova në rrjetet sociale Luiza Gegës, sepse nuk e njoh personalisht. Na ka bërë të gjithëve krenarë, ashtu siç do t’ju bëj unë më 25 gusht”, theksoi Marku.
Marku: Fitimi i ndeshjes vlerë e madhe
RELATED ARTICLES