Nga maja e Pllajës së Pusit ke mundësinë të shijosh pamjen mahnitëse të tre liqeneve: liqeni i Ohrit dhe dy liqenet e Prespës. Guida të ndryshme organizojnë ngjitje në këtë zonë të Pogradecit, sidomos kur koha e moti e lejojnë një gjë të tillë, pasi ngjitja që nis nga fshati Alarup, konsiderohet e nivelit të vështirësisë mesatare.

Peizazhi i Mbrojtur Liqeni i Pogradecit ndodhet nga 695-2288 m mbi nivelin e detit. Ai përfshin trevën përreth liqenit të Ohrit, brenda kufirit shtetëror me Maqedoninë e Veriut. Dallohet për larminë e theksuar të peizazheve, ekosistemeve dhe kontrasteve natyrore. Në përbërje të tij hyjnë liqeni i Ohrit (sit i trashëgimisë natyrore botërore), gropa e Pogradecit, pragu i Çërravës, Mali i Thatë dhe pjesa lindore e Malësisë së Mokrës.

Zonat e mbrojtura në të gjithë vendin janë kthyer në një mundësi e shkëlqyer turizmi për të gjithë të apasionuarit pas natyrës në këto ditë dimri.