Temperaturat më të larta krijojnë një “avantazh fillestar”

Raporti “Gjendja e Klimës 2024” e “Met Office” tregoi se në disa pjesë të Britanisë së Madhe, ditët më të nxehta po ngrohen pothuajse dy herë më shpejt se ditët normale.

Krahasuar me periudhën 1961–1990, numri i ditëve me temperatura 5 gradë Celsius mbi mesataren është dyfishuar, ndërsa ditët me temperatura 10 gradë Celsius mbi mesataren janë katërfishuar.

“Temperaturat ekstreme po rriten më shpejt se temperaturat mesatare”, tha Dr. Berthou.

Temperaturat maksimale të verës janë tashmë rreth 1,5 gradë Celsius më të larta krahasuar me periudhën klimatike 1961–1990.

Pas rekordit prej 40,3 gradë Celsius të regjistruar në korrik 2022, studimet e “Met Office” treguan se probabiliteti për të kaluar pragun e 40 gradë Celsius, tani është më shumë se 20 herë më i lartë sesa në vitet 1960.

Ky “avantazh fillestar” bën që modelet aktuale të motit të arrijnë më lehtë pragjet e valëve të të nxehtit dhe temperaturave ekstreme.

Toka dhe ajri më të thatë përshpejtojnë ngrohjen

Shpejtësia me të cilën rriten temperaturat nuk varet vetëm nga temperatura fillestare e ajrit, por edhe nga niveli i thatësisë së tokës dhe atmosferës.

Toka e thatë ngrohet më shpejt se toka e lagësht, pasi përdoret më pak energji për avullim dhe më shumë për rritjen direkte të temperaturës.

Ekzistojnë prova të forta se tokat verore në Britaninë e Madhe po bëhen më të thata për shkak të ndryshimeve klimatike, ndërsa parashikimet e “Met Office” flasin për tharje më të hershme sezonale dhe periudha më të shpeshta thatësire, sidomos në jug dhe lindje të Anglisë.

I njëjti mekanizëm vepron edhe në shtresat më të larta të atmosferës. Zonat e mëdha të presionit të lartë – të njohura si “kupola të nxehtësisë” – krijojnë ajër në zbritje, i cili thahet dhe ngrohet më tej për shkak të kompresimit.

Sipas studimeve, edhe pse këto sisteme të presionit të lartë nuk po ndodhin domosdoshmërisht më shpesh, efektet e tyre në nxehtësi dhe thatësirë janë bërë më intensive.