Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për Ditën e Pavarësisë. Macroni në letrën e tij ka inkurajuar Kosovën që të vazhdojë me vendosmëri përpjekjet për sundimin e ligjit dhe integrimin evropian. “Situata e re gjeopolitike e krijuar nga lufta e agresionit rus në Ukrainë ka bërë që Bashkimi Evropian të forcojë angazhimin e tij politik, ekonomik dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Në këtë drejtim, përshëndes solidaritetin e treguar nga Kosova për pritjen e refugjatëve dhe gazetarëve ukrainas”, ka thënë Presidenti Macron. Macroni ka folur edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se presin që të dy vendet të angazhohen plotësisht për normalizimin e marrëdhënieve. Ai ka shtuar se është thelbësore që të rifillojnë bisedimet. “Është gjithashtu thelbësore të rifillojnë diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili është një element qendror për perspektivën evropiane të dy vendeve dhe për sigurimin e stabilitetit të rajonit dhe kontinentit evropian. Presim që të dy vendet të angazhohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar Macron.