Një kompani bioteknologjike po punon për një trajtim anti-plakje të dedikuar posaçërisht për macet, me qëllim zgjatjen e jetës së tyre në kushte të shëndetshme.

Terapia fokusohet jo vetëm në zgjatjen e jetëgjatësisë, por kryesisht në përmirësimin e cilësisë së jetës gjatë plakjes, duke përfshirë probleme si humbja e lëvizshmërisë, dëmtimi i organeve dhe sëmundjet e moshës së vjetër.

Sipas informacionit të publikuar nga startup-i bioteknologjik “The Cat Health Company”, i themeluar në vitin 2024 nga Alex Voda dhe Alex Bacita, kërkimi bazohet në teknologji të avancuara si modelimi kompjuterik dhe inteligjenca artificiale, të cilat ndihmojnë në identifikimin e mekanizmave biologjikë të plakjes dhe zhvillimin e barnave që veprojnë në nivel qelizor.

Kompania synon të ngadalësojë shfaqjen e sëmundjeve të lidhura me moshën, si artriti, rënia r aftësive njohëse dhe problemet e lëvizshmërisë, duke rritur kështu jetëgjatësinë e shëndetshme të maceve, dhe njëkohësisht duke ofruar të dhëna që mund të përdoren edhe në mjekësinë veterinare dhe potencialisht humane.

Në një drejtim të ngjashëm, studime të tjera në fushën e veterinarisë kanë treguar se trajtimet që synojnë procesin e plakjes (senoterapitë) mund të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës te kafshët e moshuara, duke hapur rrugën për terapi më të avancuara në të ardhmen.

Sipas zhvilluesve të projektit, nëse testimet klinike dhe proceset e sigurisë ecin sipas planit, terapia mund të bëhet e disponueshme rreth vitit 2027.

Interesi publik për këtë projekt është rritur ndjeshëm, veçanërisht mes pronarëve të kafshëve shtëpiake, të cilët shohin në këtë teknologji një revolucion të mundshëm në mënyrën se si trajtohet plakja e kafshëve.

Edhe pse ideja që macet mund të jetojnë deri në 30 vjet mbetet ende në fazë kërkimore, studimet e fundit tregojnë një tendencë të qartë në shkencë: zgjatja e jetës së shëndetshme të kafshëve po bëhet një objektiv realist i bioteknologjisë moderne