Liqeni i Shkodrës u shpall në qershor Rezervë Ndërkufitare e Biosferës nga UNESCO, duke u përfshirë në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës.

I konsideruar si ndër më të pasurit në Evropë për biodiversitetin, me larmishmëri peshqish dhe shpendësh ujorë, ky liqen konsiderohet si një nga destinacionet më të veçanta të vendit.

Për të apasionuarit pas turizmit aktiv, liqeni ofron kushte të favorshme për sportet ujore, ecjet në natyrë (hiking), vëzhgimin e shpendëve dhe aktivitete të tjera rekreative, duke e bërë atë një destinacion tërheqës në çdo stinë.

Liqeni i Shkodrës është liqeni më i madh në Gadishullin Ballkanik dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Ekosistemi i tij përfaqëson një nga zonat më të rëndësishme të biodiversitetit në Evropë, me një pasuri të veçantë flore dhe faune. Pika më e thellë e liqenit arrin rreth 45 metra, ndërsa në skajin juglindor të tij shtrihet qyteti i Shkodrës, prej të cilit liqeni ka marrë edhe emrin.