Në lidhje me situatën në veri të vendit, kryeministri Albin Kurti deklaroi se nuk mund të tolerojnë pafundësisht. Ai tha se KFOR ka kërkuar pak kohë për heqjen e barrikadave por tashmë janë bërë dy javë. Gjithashtu, shefi i ekzekutivit u shpreh se tashmë janë vendosur 11 barrikada të pozicionuara në mënyrë strategjike. Kurti tha se vlerë kryesore e misionit të KFOR-it është liria e lëvizjes që aktualisht po mungon në veriun e vendit. Ai tha se këto barrikada nuk janë civile por ka njerëz të armatosur aty. “Janë barrikada të njerëzve të uniformaur, të armatosur, dhe të cilët janë të pozicionuar asisoj që më shumë kanë të bëjnë për ta mbrojtur personin e uniformuar dhe të armatosur që të shtijë mbi veturat që vijnë sesa të mos lejojnë tejkalimin e automjeteve në anën tjetër të barrikadës. Me fjalë të tjera, nuk janë barrikada civile dhe KFOR ka kërkuar kohë. Ne e kemi dhënë atë kohë dhe meqë sonte është Krishtlindja ne duhet ta kemi shumë shpejtë pas Krishtlindjes një takim me komandantin e KFOR-it, unë si kryeministër, e në të cilën të sqarojmë gjithçka. Por, nuk mund të tolerohet pafundësisht dhe tash u bënë dy javë e ne nuk mund të lejojmë që edhe javë e javë të tjera të na kalojnë e të mos kemi lirinë e lëvizjes. Pra, nga ai takim i cili ne presim që ta kemi me komandantin e KFOR-it menjëherë pas Krishtlindjes besoj do të sqarohet gjithçka dhe do t’ju japim përgjigje”, deklaroi Kurti. Situata në veri të vendit vijon të mbetet e brishtë. Tashmë janë bërë dy javë që kur u shfaqën barrikadat duke bllokuar lëvizjen e qytetarëve si dhe duke detyruar që të mbyllen dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak. Gjatë kësaj kohe në vazhdimësi ka pasur shpërthime. Së fundmi, një femër ka raportuar në polici se lokalit të saj i është thyer xhami. Dyshohet se xhami është thyer si pasojë e hedhjes së shok bombës. ATA