Thursday, November 21, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAKurti : E vërteta ndodhet në arkivat e Beogradit zyrtar

Kurti : E vërteta ndodhet në arkivat e Beogradit zyrtar

Kryeministri Kurti vendosi lule te lapidari në të cilën janë të shkruar 88 emra të shqiptarëve, të cilët siç tha, u vranë sepse ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetojnë të lirë në tokën e tyre stërgjyshore. Nga mijëra banorë nga rajoni të grumbulluar në Kralan, të ndarë burrat prej grave dhunshëm nga forcat serbe, u vranë 86 civilë të paarmatosur, derisa rrugës për deportim në Shqipëri u vranë dy të tjerë. 11 nga viktimat e këtij krimi kanë qenë fëmijë, ndërkaq 18 prej të vrarëve janë gjetur në afërsi të liqenit Peruçac në Bajina Bashta të Serbisë.

Fakti që kriminelët i kanë vrarë shqiptarët dhe ua kanë rrëmbyer kufomat, tregon se sa shumë ata janë përgjegjës për këtë krim të dyfishtë, andaj Kryeministri theksoi se përgjegjësia dhe e vërteta ndodhet në arkivat e Beogradit zyrtar të cilët duhet t’i kthejnë mbi 1600 trupat e më të dashurve tanë, të cilët vazhdojnë të mungojnë edhe 25 vjet më vonë.

“Ju bëjmë thirrje edhe faktorit ndërkombëtar që të bëjnë trysni mbi Beogradin, në mënyrë që të ketë drejtësi për Kosovën, për viktimat e shumta gjithandej, të pranverës së vitit 1999, meqenëse pa drejtësi, plaga vazhdon të kullojë e familjet e martirëve vazhdojnë që të kenë ankth e vuajtje, meqenëse shumë prej tyre nuk e dinë se ku i kanë trupat e pajetë e më të dashurve të tyre”, përfundoi kryeministri Kurti.

Dëshmitarët kanë rrëfyer se si mes 2 dhe 4 prillit të vitit 1999, forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, torturuan qindra burra dhe djem shqiptarë, të rrethuar me tanke në një fushë në Kralan. Pas dy ditësh rrahje e keqtrajtimi, më 4 prill, nga grupi i djemve dhe burrave, të cilët janë mbajtur në livadh, gjatë gjithë kohës të rrethuar me tanke, pa ujë dhe pa ushqim, një numër i madh i tyre është liruar. Janë mbajtur 86 prej tyre, ndër të cilët edhe 11 të mitur. Që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë.

Në këto homazhe, kryeministri shoqërohej nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari Lila dhe Agon Batusha, si dhe zyrtarë të nivelit qendror e lokal.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments