Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAKurti: Beogradi të firmosë marrëveshjen e Ohrit

Kurti: Beogradi të firmosë marrëveshjen e Ohrit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i pranishëm sot në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë, në një prononcim për mediet, kërkoi nga Bashkimi Evropian marrjen e sanksioneve ndaj Serbisë për sulmin e 24 shtatorit.

“Shpresojmë mos të ketë episod të katërt nga sulmet e Serbisë. Duhet të ketë sanksione ndaj Serbisë. Është ditë e mirë, pasi Procesi i Berlinit e bën Ballkanin europian”, theksoi Kurti.

Kryeministri i Kosovës u shpreh se Serbia duhet të firmosë Marrëveshjen e Ohrit, për të normalizuar marrëdhëniet dhe për t’u njohur reciprokisht.

“Edhe sot gjatë takimit të drekës i kërkova kryeministres së Serbisë, Ana Brnabić të nënshkruante marrëveshjen bazike të aneksit të Ohrit. Ajo marrëveshje parashikon njohjen reciproke të vendeve tona, por nuk e bëri. Unë jam të zbatohen ato pika që kemi dakordësuar atje. Presidenti i Serbisë është i zënë me punë në Kinë, me vizitën atje dhe takimet me superfuqitë lindore dhe verilindore. Le ta nënshkruajë meqë është kaq i interesuar për normalizimin e marrëdhënies me Kosovën, por Brnabiç nuk ishte e interesuar”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës tha se Prishtina zyrtare e ka fokusin e saj vetëm tek Bashkimi Evropian. Ai po ashtu shtoi se Policia e Kosovës është përgjegjëse për sigurinë në të gjithë territorin e vendit.

“Ne e kemi bërë të qartë: Rruga jonë është BE. Veriu i Kosovës është i Kosovës. Kemi nevojë për më shumë siguri në Kosovë. Trupat e NATO-s të jenë në patrullim të përbashkët me Policinë e Kosovës, pasi kufiri me Serbinë është 380 km vijë tokësore, vija kufitare më e madhe se i gjithë kufiri me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut i marrë së bashku. Policia e Kosovës është dhe në veri, dhe jug të Ibrit. Policia e Kosovës është e para që përballet me tensionet dhe këtu s’ka kurrëfarë dilemash. Më pas ELUEX dhe në fund KFOR. Veriu i Kosovës i takon Kosovës. Është i pacenueshëm, integriteti territorial i Kosovës”, tha Kurti.

Po ashtu kryeministri Kurti falenderoi Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

“Kancelarit Olaf Scholz i jam falënderues për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë si në planin bilateral, ashtu dhe në planin e integrimit në BE dhe NATO. Ai është aleat i ynë shumë i rëndësishëm për integrimin evropian dhe euroatlantik”, deklaron Kurti.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments