Krujë: Vizita përmes teknologjisë VR më ndërvepruese

0
1

Muzeu Etnografik i Krujës, që prej rihapjes së tij pas përfundimit të restaurimit në korrik të vitit të kaluar ka tërhequr një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj.

Me rreth 1000 artefakte, ekrane multimediale dhe ekspozita interaktive, vizita në muze sjell një përvojë tërheqëse për të gjitha moshat që vizitojnë muzeun.

Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeut Etnografik, Krujë, Mehdi Hafizi tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se “në muze pas restaurimit të kryer në kuadër të programit EU4Culture të financuar nga Bashkimi Europian zbatuar nga UNOPS në partneritet të ngushtë edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në muze ka pasur një fluks të lartë vizitorësh gjatë 2024”.

“Nga fundi i korrikut kur u rihap deri në fund të dhjetorit, Muzeun  Etnografik e kanë vizituar 15 mijë vizitorë vendas e të huaj, të cilët kanë shfaqur interes për kulturën dhe traditat shqiptare”, tha Hafizi.

Që prej hapjes së tij, muzeu ofron një risi për vizitorët, ku përmes teknologjisë VR vizita e tyre është më tërheqëse dhe ndërvepruese.

“Kjo teknologji përmirëson tregimin brenda muzeut, duke ofruar narrativa dinamike dhe ndërvepruese që magjepsin vizitorët”, tha Hafizi.