Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku deklaroi sot se shumë shpejt Bashkimi Europian ka përfshirë Korridorin 8 si pjesë të Rrjetit Ndëreuropian të Transportit, TEN-T.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku po diskutohen ndryshimet në Kodin Rrugor, Balluku tha se një konfirmim të tillë e kishte marrë gjatë takimit me Komisionerin për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi, i cili vizitoi sot Tiranën.
“Sapo vij nga një takim me Komisionerin Varhelyi, i cili sapo më ka konfirmuar edhe një herë se Korridori 8 tashmë është i miratuar nga Bashkimi Europian, nga Komisioni dhe nga të gjitha forumet e tjera dhe është thjesht çështje ditësh për t’u bërë publik dhe me miratimin e këtij Korridori, pra më në fund si pjesë e TEN-T, ne do të kemi mundësi që të gjitha projektet tona, qoftë ato infrastrukturore, siç janë bajpasi i Elbasanit, apo bajpasi i Librazhdit apo hekurudha që do të lidhë Durrësin me Rrogozhinën dhe Rrogozhinën më pas me Pogradecin për t’u lidhur me Maqedoninë e Veriut, janë të gjitha projekte europiane të cilat do të mbështeten edhe me fondet e Bashkimit Europian”, tha Balluku.
Zv/kryeministrja theksoi edhe se Shqipëria tashmë ka infrastrukturën e duhur për të pasur një Kod Rrugor modern.
“Është një projektligj që duhet të gjejë një konsensus të gjerë, pasi Shqipëria tashmë ka infrastrukturën e duhur për të pasur një Kod Rrugor modern, i cili duhet t’i përgjigjet të gjitha zhvillimeve që tashmë ne kemi në vendin tonë. Kemi ndërtuar një infrastrukturë të denjë për çdo vend europian. Bajpasi i Fierit, Vlorës, Shkodrës, Tepelenës, rruga Kardhiq-Delvinë, Unaza e Madhe, e cila një pjesë e mirë tashmë ka përfunduar dhe vazhdojmë me lotet e tjera për ta përmbyllur të gjithë këtë proces në 2024”, u shpreh zv/kryeministrja Balluku.
Sipas saj, këto zhvillime infrastrukturore, që janë mbështetur nga qeveria shqiptare dhe puna që është bërë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe nga ARRSH-ja, nuk mbeten vetëm tek ndërtimet e rrugëve, por edhe tek zhvillimet e tyre teknologjike, ashtu siç është dhe rasti i ngritjes së Qendrës së Monitorimit.
Balluku informoi se Qendra e Monitorimit fillimisht do të monitorojë 200 kilometrat e parë.
“Qendra e Monitorimit do të monitorojë të gjithë lëvizjet e trafikut ku komponentët do t’i ofrohen edhe Policisë së Shtetit për sigurinë, por edhe urgjencës, edhe zjarrfikësve dhe sigurisht do të jetë një qendër ku do të kontrollohet trafiku, fluksi i tij dhe ndarja nëpër autostradat moderne që ne tashmë kemi”, theksoi Balluku. atsh