Ministrja Frida Krifca ka njoftuar se është ndërmarrë një plan kontrolli e monitorimi i kujdesshëm, i farmacive bujqësore në territor, për të garantuar përdorim të produkteve të mbrojtjes së bimëve, pesticideve dhe plehrave kimike në respekt të protokolleve të miratuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Si rezultat Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka identifikuar, gjobitur dhe referuar për ndjekje të mëtejshme rastet e konstatuara për tregtim të pesticideve të paregjistruara, me etiketë të pamiratuar si dhe riambalazhim në kundërshtim me kërkesat ligjore. “Pa kompromis do të vijojmë të ndjekim me rigorozitet zbatimin e protokollove të miratuara nga farmacitë bujqësore për të mbrojtur prodhimin e fermerëve, konsumatorët tanë dhe emrin e eksportit shqiptar”, është shprehur ministrja Krifca, në rrjetet sociale. Ajo shton se paralelisht është punuar duke përforcuar bazën ligjore dhe rregullative, duke nxitur kontrollin që në fermë, nëpërmjet Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, duke bërë të detyrueshëm mbajtjen e regjistrit të fermës. Qëllimi është lidhja e hallkave të zinxhirit të sigurisë ushqimore për prodhimet bujqësore, nga ferma në pikat e grumbullimit, në tavolinë apo eksport.http://ata.gov.al/2022/08/11/aku-kontroll-e-monitorim-farmacive-bujqesore/