113 vjet më parë, nga data 2-9 shtator 1909, në qytetin e Elbasanit u zhvillua një ngjarje e shënuar në historinë e arsimit, shkollës e kulturës shqiptare, që në histori njihet si “Kongresi i Elbasanit” apo “Kongresi i shkollave shqipe”, ku morën pjesë 35 përfaqësues nga 28 klube e shoqëri patriotike, brenda e jashtë territorit shqiptar. Në përkujtim të kësaj ngjarje për qytetin e Elbasanit ka përshëndetur edhe kryetari i bashkisë Gledian Llatja, i cili e vuri theksin tek mbajtja e këtij kongresi, që sipas tij jo rastësisht u mbajt në Elbasan, si qyteti i njohur për traditat patriotike, arsimore, e kulturore dhe me figura të spikatura të Rilindjes Kombëtare.
“Sot, pas 113 vitesh jemi mbledhur për të kujtuar një aktivitet të rëndësishëm mbarëkombëtar, një ngjarje të shënuar të historisë së arsimit, shkollës e kulturës shqiptare. 35 përfaqësuesit e zgjedhur për të përfaqësuar mbarë shqiptarët, nga të gjitha qytetet e tyre përmblodhën në 15 pika vendimet e këtij kongresi, që do të ishin një rregullator për arsimin, gjuhën e kulturën e vendit tonë, por njëherazi një lajmëtar i rëndësishëm i një ndryshimi të madh dhe paralajmërues i një periudhë të ndritur në arsim, që do ta sillte pak muaj më vonë “Shkolla Normale”, ku dialekti i Elbasanit flitet sot në shumë treva, pikërisht nga kjo shkollë”, theksoi Llatja. Kryebashkiaku Llatja u shpreh se “delegatë nga Shkupi, Përmeti, Gjirokastra, Dibra, Pogradeci, Manastiri, Filati etj, bënë rrugë të gjatë për të ardhur deri në Elbasan për punimet e Kongresit të Elbasanit. Delegatët u mirëpritën përzemërsisht nga populli elbasanas. Edhe pse kishte emra si Lef Nosi, Taq Buda, Ahmed Dakli, Emin Haxhiademi, Dervish Biçaku etj., që u morën drejtpërdrejtë me punimet e Kongresit, qytetarët nuk u distancuan nga mirëpritja e përfaqësuesve dhe organizimi sa më mirë i këtij Kongresi”. Sipas tij, Elbasani e deshi Kongresin, e deshi arsimin, por edhe Shqipëria e deshi Elbasanin, gjuhën dhe kulturën e qytetit tonë. “Në vendimin e 11-të të këtij Kongresi u vendos: “Dialekti i Elbasanit, ku kongresi i lutet të gjithë autorëve shqiptarë që të botojnë libra dhe tekste në gjuhën shqipe dhe të përdorin dialektin e Elbasanit. Ky vendim ishte tregues se dialekti i Elbasanit ishte e folura më e saktë e më afërt, e cila bashkonte dialektin gegë e toskë. Kongresi i Elbasanit do të jetë gjithmonë pjesë e ndritur e historisë, si vetë periudha e Rilindjes Kombëtare përgjatë së cilës u mbajt. Do të jetë një ngjarje që sa herë e kujtojmë do të na tregojë se sa të lidhur jemi me gjuhën tonë, me arsimin e kulturën dhe sa mirënjohje kemi ndaj atyre që sakrifikuan dhe bënë të mundur që ne t’i gëzonim të treja këto”, tha Llatja. Duke vlerësuar punimet e Kongresit të Elbasanit, Llatja shprehu mirënjohjen për të gjithë ata figura të zgjuar dhe te ditur, të cilët sipas kryebashkiakut “zgjodhën pikërisht qytetin tonë për ngritjen e një shkolle kombëtare për mësues dhe misioni i Normales tashmë ka mbetur ne kujtesë të shumëkujt e në analet e historisë së arsimit e kulturës shqiptare”. Llatja theksoi se “në nderim të të gjithë figurave të ndritura të arsimit ne së fundmi kemi hapur Muzeun e Arsimit në shkollën “Luigj Gurakuqi” në qytetin tonë. Respekt edhe qindra e qindra mësuesve që ia kushtuan jetën arsimit e kulturës në këtë qytet. Sot Elbasani vazhdon të ruajë traditën shekullore në fushën e arsimit dhe të kulturës, ku rreshtohet ndër më të rëndësishmit përsa i përket arsimit universitar e shtrirjes së arsimit të mesëm në qytet e fshat. Kjo përvojë i ka rrënjët e saj tek patriotët elbasanas, që për kohën që jetuan, ishin në pararojë të saj dhe hodhën themelet e arsimit kombëtar”. Në këtë ngjarje kanë kumtuar rreth 113 vjet Kongresi i Elbasanit, kryetari i bashkisë Gledian Llatja, ministrja e Arsimitdhe Sportit Evis Kushi, deputeti dhe drejtuesi politik i Elbasanit, Damian Gjiknuri si edhe akademikë.http://ata.gov.al/2022/09/06/llatja-113-vjet-kongresi-i-elbasanit-tradita-e-arsimit-vazhdon/