PeBA përfaqëson një rrjet kërkuesish që punojnë kryesisht mbi periudhat e Bronzit dhe të Hekurit në Evropën juglindore. Qëllimi kryesor i kësaj iniciative është krijimi i një platforme ndërkombëtare për të nxitur bashkëpunimin ndërkufitar në rajon.

Konferenca organizohet në bashkëpunim me institucionet themeluese të kësaj iniciative: Instituti Austriak i Arkeologjisë, i Akademisë së Shkencave të Austrisë, Universiteti Ludwig-Maximilians, në Mynih dhe Instituti i Arkeologjisë Klasike, Pragë.

Konferenca e 5-të titullohet “Në gjurmim të rrugëve- Lëvizjet e njerëzve, mallrave dhe ideve në Evropën Juglindore gjatë periudhave të metaleve”.  Ajo do trajtojë format e ndryshme me të cilat komunitetet prehistorike bashkëvepronin me peizazhin, për të organizuar dhe mundësuar lëvizshmërinë, si dhe strategjitë kulturore, sociale, ekonomike dhe politike që formësuan këtë proces. Konferenca ka për qëllim të hapë perspektiva të reja në qasjen ndaj lëvizshmërisë dhe ndërthurjen mes saj, peizazhit dhe praktikave shoqërore në Ballkanin prehistorik.