Koncerti “Liszt 212 vjet” solli në Tiranë edhe një vepër që u luajt për herë të parë

0
3

Veprat e kompozitorit Franz Liszt mes tyre dhe një premierë u luajtën në koncertin klasik “Liszt 212 vjet”. Orkestra Simfonike luajti nën dirigjimin e mjeshtrit Oleg Arapi, ndërsa soliste ishte pianistja e ardhur nga Hungaria, Almira Emiri. Koncerti i mbështetur nga Ambasada Hungareze dhe Bashkia Tiranë, u luajt në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse. Drejtori artistik Liman Maloku së bashku me pianisten Emiri dhe dirigjentin Arapi zgjodhën që në koncert të përfshihej Totentanz (Vallja e vdekjes), e cila luhet për herë të parë në vendin tonë. Në epokën romantike për shkak të magjepsjes me gjithshka mesjetare aspekti i ironisë fantastike ose groteske dhe makabre shpesh zëvendësonte qëllimin origjinal moral. E tillë është pjesa Totentanz-i, kompozim i Liszt-it që është një grup variacionesh për plano dhe orkestër që parafrazon gjithashtu këngën e thjeshtë Dies Irae. Disa nga titujt e veprave të Liszt-it si Totentanz, Funerailles, La ligubre gondola, dhe Pensee des morts, tregojnë magjepsjen e kompozitorit me vdekjen. Te Liszt-i ne vërejmë manifestime të obsesionit të tij me vdekjen, me fenë dhe me ferr-parajsën. Liszt-i sipas Alan Walker, frekuentonte spitalet, kazinotë, lojërat e fatit dhe azilet pariziene në fillim të viteve 1830, madje ai zbriti në birucat e burgjeve për të parë të dënuarit me vdekje. Dirigjenti Oleg Arapi është shprehur se muzika klasike ka mbetur muzikë elitare e padiskutueshme për shekuj me radhë. Sipas tij duhet të kuptojmë rëndësinë e edukimit me këtë ushqim shpirtëror të gjithë brezave në çdo kohë. Dhe kjo ishte një nga arsyet përse u soll ky koncert klasik.