Komuna ISTOG ne Kosove

0
16

Rrethi i Istogut në kuptimin e sotëm administrativ është formuar më 1913, pas pushtimit të Kosovës nga ana e ushtrive serbo-malazeze. Po atë vit pushteti i ri ka bërë regjistrimin e popullsisë së këtij rrethi dhe ka caktuar kufijtë. Atëherë ky rreth është organizuar në gjashtë komuna: Istog, Gjurakovc, Rakosh, Zllakuçan, Vrellë dhe Radavc (këto dy të fundit më vonë janë bashkuar në një komunë me qendër në Vrellë). Kufijtë e komunës së sotme të Istogut përafërsisht përputhen me ata të ish-Rrethit të Istogut me qendër në Istog, pos që komuna e Zllakuçanit tash i takon komunës së Klinës, Radavci – Pejës e Runiku – komunës së Skënderajit.

Gjatë kohës së sundimit të Turqisë, Rrethi i Istogut i ka takuar Sanxhakut të Pejës, pos kazasë së Istogut, i kanë takuar edhe kazatë (komunat) e Gjakovës, Beranës (Ivangradi) dhe Gucisë.

Deri sot nuk ekziston ndonjë dokument i shkruar që do të bënte fjalë për këtë vendbanim para shekullit XIV. Por, dihet saktësisht se ka qenë i banuar që nga kohët e parahistorisë e gjurmë të civilizimit janë të dukshme dhe janë gjetur se janë të kohës së dardanëve dhe të romakëve. Gjurmë të këtij civilizimi janë gjetur buzë rrugës së vjetër që në mesjetë dhe më herët ka lidhur Bregdetin Adriatik nëpër Plevle, nëpër Rozhajë-Kullë e Istog e që tutje ka kaluar nëpër Mitrovicë për në Nish. Gjurmë të trasesë së kësaj rruge janë të hetueshme edhe sot, së bashku me gjurmë vendbanimesh. Po ashtu është e ditur se të asaj kohe janë edhe shumë vendbanime të kësaj ane. Ndër to më të njohurat kanë qenë Banja, ujin e ngrohtë të cilës kanë ditur ta shfrytëzojnë për mjekim dhe freskim ilirët dhe romakët. Një lum i vogël që buron andej nga Surigana (emërtim ilir për Suhogërllën e sotme) me emërtimin Kujafç, gjuhëtarët kanë dëshmuar se është po ashtu fjalë me prejardhje ilire. Ky lum kalon nga ana e Kërninës, Belicës dhe tutje te Zabllaçi derdhet në lumin e Istogut. Me hulumtime të tjera do të mund të dëshmoheshin edhe shumë toponime të tjera që i kanë shpëtuar sllavizimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here