Pse duhet ta lexojmë kolanën e librave “Skandal”? Kjo ishte një nga pyetjet që u shtruan gjatë mbrëmjes së tretë të Festivalit Veror të Librit në Durrës. Dhe Aida Baro i dha përgjigjen e saj. Ishte prezantimi i koleksionit “Skandal”, nga Shtëpia Botuese Pegi, në këndin e librit në shëtitoren Taulantia. Të pranishmit diskutuan me Sokol Çunga, arkivist e përkthyes, dhe Aida Baro, përkthyese e redaktore e kësaj kolane. Po çfarë është kolana “SKandal” dhe pse duhet t’i lexojmë librat e ndaluar? Koleksioni me emrin “Skandal” përmban tetë autorë të ndryshëm europianë, të cilët përmes veprave të tyre, skandaloze për kohën e botimit kanë sjellë një revolucion në mënyrën e të menduarit.
Të gjitha veprat trajtojnë tema delikate, shfaqin subjekte të ndjeshme, e kanë një stil dhe gjuhë shpeshherë provokues. Veprat që do të botohen në gjuhën shqipe, në shumicën e rasteve janë futur në listat e zeza të vendeve përkatëse, janë censuruar ose kanë shkaktuar trazira në vendin e origjinës, në kohën që janë botuar ose dhe më vonë. Autorë si: Camilo J. Cela, Barbey d’Aurevilly, Alberto Moravia, Edna O’Brien, Frank O’Conner, M. Caragatsis dhe Christiane F. kanë shkruar vepra, që kanë rrëzuar barrierat e perceptimit publik mbi të mirën dhe të keqen. Ato kanë shërbyer si katalizatorë të frikës dhe zemërimit të njerëzit dhe e kanë përballur shoqërinë me vetveten. Po në këtë projekt, në bashkëpunim me shtëpinë botuese gjermane Schenk Verlag GmbH, do të botohen në Gjermani edhe dy autorë shqiptarë: Tom Kuka me “Gurët e vetmisë” dhe Ndriçim Ademaj me “Pa heronj, pa bujë”. Veprat e shkrimtarëve shqiptarë që do të botohen në Gjermani pritet të cekin disa taste të ndjeshme dhe të shkaktojnë njëfarë zhurme, për shkak të tematikës së tyre dhe plagëve që nxjerrin në pah.