Malësia e Kelmendit, e sidomos Tamara, është një nga zonat veriore më të bukura të Shqipërisë, është shndërruar në një destinacion të preferuar turistik falë investimeve të bëra dhe vendndodhjes gjeografike që ofron peizazhe mahnitëse malore.
Investimet e realizuara në infrastrukturën lokale kanë përmirësuar aksesin, shërbimet dhe mundësitë për zhvillimin e turizmit malor, duke e kthyer Tamarën e Kelmendit në një shembull të qartë të potencialit të turizmit në zonat veriore të vendit dhe të pasurisë natyrore që ofron Shqipëria.
Ajo shtrihet në zonë malore, pjesë e Alpeve Shqiptare, e rrethuar nga male të larta dhe lugina të thella. Distanca nga Shkodra, qendra më e madhe e veriut, është rreth 100 km në verilindje dhe mund të përshkohet për rreth 2,5 orë me makinë, duke përshkuar rrugë malore me pamje spektakolare.
Gjithashtu, Malësia e Kelmendit e cilësuar si “Perla e Alpeve Juglindore” të Europës, tërheq vizitorë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit, ndërsa është kthyer po ashtu në destinacion tërheqës për sportet e aventurës.
Malësia e Madhe, pjesë e të cilës është edhe Kelmendi, ofron pamje të rralla në çdo stinë të vitit. Shpellat, kanionet, ujëvarat, rrjedhat e lumenjve, burimet, pllajat, peizazhet e magjishme i shoqërojnë turistët në udhëtimin e tyre në Malësinë e Kelmendit.
Kjo zonë ka potenciale për zhvillimin e sporteve dimërore, kampingjeve me çadra, si dhe strukturave për shërbime gastronomike, të cilat janë miqësore me natyrën.





