Në fshatin Guri i Bardhë në Klos banorët kanë shumëçka për t’u krenuar. Vendlindja e Pjetër Budit ka qenë prej shekujsh vendbanim i madh, shtrirë në kodra mes gjelbërimit dhe luleve.
Tashmë në fshat, pjesë e projektit “100 fshatrat”, mund të udhëtosh përmes Rrugës së Arbrit pasi kalon tunelin e Murrizit dhe zbret drejt zonës së Klosit. Fshati ndodhet rreth 4-5 km larg rrugës nacionale.
Nga rruga e vjetër që kalon nga Burreli, udhëtimi zgjaste deri në 5 orë.
Por, ka shumë nga ata, mes të cilëve edhe ne, që hyrjen në fshat e bëmë nga shtigjet malore që e lidhin atë me fshatrat e Malësisë së Tiranës, Xibrit e Bulqizës. Të gjitha shtigjet bashkohen në kroin e Gurit të Bardhë, tjetër burim krenarie për banorët. Tashmë i sistemuar me disa ballkone gurra ka ujë të ftohtë e të kulluar dimër e verë dhe u shërben udhëtarëve si kujtesë e kohës së vjetër kur aty mbushej ujë për nevojat e përditshme.
Ndërsa hyn në fshat, fillimisht ndeshesh me barinjtë që kujdesen për delet në lëndinat sipër. Kadriu në tregon me krenari se fshati ka qenë mjaft i madh më parë, rreth 1300 shtëpi. Asfaltimi i rrugës e ka bërë jetën më të lehtë dhe e ka hapur zonën ndaj vizitorëve. Ai na orienton drejt bujtinës “Te mulliri”, e vetmja bujtinë në fshat në fakt.
Bujtina është bërë pikë reference për banorët, pasi aty vijnë vizitorët me të cilët hyjnë në biseda, ndërrohen informata, bëhen shitje dhe blerje, apo edhe shërbime të tjera që kërkohen.
Pasi lëmë pas bujtinën që ndodhet në hyrje shfaqen rrugicat e shtruara me gurë, ndërsa nga të dyja anët shtëpi guri me kopshtije të këndshme plot me pemë frutore dhe lule. Lulet e mollës e kanë zbukuruar fshatin ndërsa lulet e egra nuk kanë lënë vend pa çelur.
Afër Tiranës sa për të dalë për një kafe dhe mes një qetësie e natyre të paprekur sa arrin të dëgjosh më në fund veten.
Guri i Bardhë njihet për shtëpitë prej guri, kryesisht të ndërtuara rreth fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, shumë prej të cilave ndërtesa dykatëshe (kulla) për familje të mëdha.
Historianët përcaktojnë si karakteristikë unike gurët e gdhendur në qoshet e shtëpive dhe mbi porta me simbole që mbartin besime të lashta mbrojtëse.
Po ashtu, sipas tyre, shtëpitë e vjetra dëshmojnë nivel të lartë jetese për kohën e kaluar, me dhoma miqsh të pajisura me banjo të brendshme dhe dekorime të punuara nga mjeshtra dibranë e maqedonas.
Rrugicat zgjaten në shumë drejtime pasi fshati është mjaft i shtrirë, ndërsa shtëpi të reja duken në shpatin e kodrës. Afrimi ndërsa largon me gomarin e tij mbetjet, na përshëndet dhe na drejton te bujtina, duket vetëm aty mund të gjejmë ushqim dhe kafe, pasi fshati nuk duket të ketë shërbime të tjera.
Hakiu, pronari i bujtinës “Te Mulliri”, na përshëndet me përzemërsi ndërsa thotë se tashmë gjithë kohën e kalon aty pasi puna duhet mbajtur. Kamerieri i vetëm në shërbim punon gjatë fundjavës, ndërsa ditët e tjera jeton në Tiranë.
Djali thotë se në fshat janë 100 shtëpi të banuara. “Shumë”, i them. Ai buzëqesh dhe flet për një kohë që nuk e ka jetuar vetë: Po fshati ka pasur 1300.
Megjithatë, duket se fshati nuk ka mbetur në hije. Tashmë atij, siç tregon shoferi i një furgoni që takojmë pranë bujtinës, po i shtohen banorë të rinj. Dy familje nga Tirana kanë blerë dhe rindërtuar shtëpi në Gurin e Bardhë dhe ka kërkesa të tjera.
Gjithçka lidhet, sipas banorëve, me Rrugën e Arbrit. Ajo e ka afruar fshatin me shumë histori me kryeqytetin së pari, por edhe me qendrat e tjera të mëdha të zonës. Njerëzit e kanë shumë më të lehtë të arrijnë në fshat dhe njëherë që janë aty, nuk e harrojnë më.
Në zemër të maleve të Klosit, Guri i Bardhë fton si oaz natyror me natyrë të paprekur, qetësi, ujëra të ftohtë dhe shtigje malore mes pyjeve që e bëjnë atë destinacionin e përkryer për fundjavën. Ushqimet janë të zonës dhe njerëzit janë mikpritës.
Një zonjë që kishte dalë në kopshtin e saj ndërsa kalonim në rrugicë na pyet: A keni ngrënë? Mikpritja e Matit.
Bujtina është shembulli i parë se si njerëzit tërhiqen nga Guri i Bardhë. Fundjavat e mbushin atë me gjallërinë e vizitorëve, kryesisht nga kryeqyteti.
Përveç fshatit, të pasionuarit pas ecjes në natyrë dhe historisë mund të ngjiten në Kalanë e Petralbës, e njohur si një nga vendbanimet e familjes së Kastriotëve.
Po ashtu, mund të zbritet në lumë dhe të vizitohet Ura e Vashës mbi lumin Mat, monument kulture i periudhës osmane, që ndodhet poshtë fshatit.
Ndërkaq, fshati jeton me punët e tij të përditshme, blegtorinë, mbjelljen e patateve, fasuleve. Asgjë nuk e prish ritmin e ditëve të mbushura me punë, ndërsa presin verën kur fëmijët kthehen në fshat dhe jeta mbushet me shpresë e ngazëllim.





