I njohur për natyrën e tij të paprekur, ajrin e pastër dhe klimën e freskët, Gjinari është një vend ideal për ekskursione dhe pushim relaksues larg zhurmës së qytetit.
Vitet e fundit turizmi në këtë zonë ka shënuar rritje, si për numrin e vizitorëve, por edhe sa i përket shtimit të strukturave pritëse.
Turizmi në Gjinar ka ekzistuar edhe para viteve ’90, por ishte shumë i ndryshëm nga ai që njohim sot.
Fotografi i ATSH-së, Gani Xhengo ka fotografuar në gusht të vitit 1974, pamje të kabinave të ngritura në Gjinar, në malin e lartë të Bukanikut (1823 metra).
Këto kabina pushimi ishin të dedikuara për punonjësit e qytetit të Elbasanit.
Turizmi dikur ishte i organizuar dhe i kontrolluar nga shteti. Lëvizja e qytetarëve ishte e kufizuar dhe e planifikuar dhe punëtorëve u duhej të merrnin “fletë kampi” nga qendrat e punës, siç quhej dikur dokumenti që të jepte lejen për të pushuar diku brenda territorit të republikës.





