Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se 35 milionë euro janë parashikuar për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe 6 milionë euro për programin “Evropa për natyrën”, që konsiston në mbrojtjen e natyrës të identifikuar si një nga prioritetet kryesore mjedisore nga qeveria shqiptare. Në fjalën e saj në seancën plenare në Kuvend duke folur për programim IPA III, Kumbaro tha se “mjedisi është prioritet jo vetëm i qeverisë shqiptare, por edhe prioritet botëror. Dy projekte madhore janë të përfshira në IPA III ekonomia qarkulluese me fokus menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe programi i dytë është natyra dhe zonat e mbrojtura”. “35 milionë euro janë parashikuar për programin e parë ekonominë qarkulluese për të forcuar hapat e Shqipërisë në aksionin evropian të rritjes së gjelbër për një Shqipëri të pastër si pjesë e sfidës mbarëbotërore për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Një betejë që asnjë vend nuk e ka fituar sot, por një pjesë e vendeve më të avancuara evropiane por edhe më të emancipuara kanë identifikuar modelin rrugës e si duhet të përballojë shoqëria e konsumit bashkëjetesën me mbetjet që vetë prodhon”, theksoi Kumbaro. Ministrja Kumbaro u shpreh se “kjo qeveri e ka bërë pjesë të përditshmërisë së punës së saj bashkë me pushtetin vendor aksionin për pastrim kombëtar me përforcim disafish të kësaj pune në sezonin veror që kaluam, ku popullsia u shtua me 10 herë në disa prej bashkive bregdetare të vendit”. “Programi IPPA do të zbatojë modele për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe për mbylljen e venddepozitimeve të paligjshme në zonat e menaxhimit të mbetjeve për dy qarqet ku do të përqendrohet programi në qarkun e Kukësit dhe Gjirokastrës. Këto dy modele do të fokusohen në studimin e fizibilitetit të kryer po nga fondet e Bashkimit Evropian për menaxhimin e integruar të mbetjeve nga prodhuesi i mbetjeve deri në pikën fundore të trajtimit të mbetjeve të ngurta me një theks të veçantë në ndarjen në burim, riciklimin dhe edukimin mjedisor”, nënvizoi Kumbaro. Duke folur për programin “Evropa për natyrën”, Kumbaro tha se “ky program është krijuar për të kontribuar në menaxhimin efektiv të zonave të mbrojtura si dhe në krijimin e zonave të reja të mbrojtura si pjesë e përgatitjes për rrjetin “Natyra 2000″. Objektivi i përgjithshëm i programit është që të mbrojë dhe të ruajë objektivin minimal deri në vitin 2030, 25% e territorit jemi deri tani në 21.3% me vendimet e fundit të qeverisë në janar të këtij viti dhe për të zbatuar një sistem efektiv të zonave të mbrojtura për të arritur një objektiv maksimal deri në 30% të territorit të zonave të mbrojtura deri në vitin 2030”.https://ata.gov.al/2022/09/15/kumbaro-ipa-iii-projekte-per-menaxhimin-e-mbetjeve-dhe-zonat-e-mbrojtura/