Në një konferencë për integritetin e informacionit DISICON, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) me seli në Uashington, Hovenier ka theksuar se dezinformimet mund të kenë pasoja të mëdha veçanërisht gjatë viteve të zgjedhjeve, duke shtuar se është e rëndësishme që qytetarët të kenë qasje në informata të sigurta.
Ai ka përmendur një bisedë të rreme të publikuar në rrjetet sociale disa vjet më parë ku bëhej fjalë për një bisedë jo të vërtetë mes tij dhe kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se kishte për “synim të mbillte mosbesim brenda komunitetit serb të Kosovës”.
Për këtë ai ka thënë se lëvizjet e tilla tregojnë se aktoret keqdashës përpiqen të shfrytëzojnë natyrën shumetnike të Kosovës për të krijuar ndarje.
Hovenier, i cili përfundon mandatin e tij në Kosovë në fund të dhjetorit, ka ritheksuar rolin e SHBA-ve ndaj Kosovës, duke thënë se mbeten të përkushtuar ndaj këtij vendit në mbështetje të mediave të pavarura, përfshirë ato që drejtohen nga pakicat.