Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAHill: Asociacioni obligim, por nuk mund të krijohet menjëherë

Hill: Asociacioni obligim, por nuk mund të krijohet menjëherë

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, është obligim që del prej Marrëveshjes së Brukselit. “Të gjithë negociatorët dhe ndërmjetësuesit, qoftë në Bashkimin Evropian, apo në Shtetet e Bashkuara, e kanë konfirmuar që ky është një obligim që del nga Marrëveshja e Brukselit. Është element kyç për të ecur përpara. Pastaj vjen ajo që thuhet në planin franko-gjerman, i cili gëzon mbështetjen e BE-së. Ai përfshin ide më të gjera që do të kërkojnë pak më shumë kohë”, ka thënë Hill. Ai i ka bërë këto deklarata në ceremoninë e nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi në mes të Serbisë dhe Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Hill ka thënë, po ashtu, se Asociacioni nuk mund të krijohet menjëherë, duke shtuar se është e nevojshme që të punohet në disa aspekte. Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka konfirmuar të ketë marrë ftesë nga Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një diskutim, më 31 janar, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. “Pres të jetë një takim i mirë”, ka thënë Rashiq. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik. I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Zërin e Amerikës më 20 janar, se bisedimet për krijimin e Asociacionit do të nisin deri në fund të këtij muaji, me “njerëz që kanë ide të mira”. “E ardhmja evropiane e Serbisë, e rëndësishme për SHBA-në” Ambasadori amerikan në Serbi, ka thënë se e ka dëgjuar “me kujdes fjalimin e (presidentit serb, Aleksandar Vuçiq)”, i cili, sipas tij, “ka prezantuar planin dhe konceptin për zgjidhjen e problemit shumë të komplikuar” të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. “Presidenti e ka sqaruar si e sheh të ardhmen e Serbisë dhe SHBA-ja mbështet një të ardhme të tillë për Serbinë. Shtetet e Bashkuara kanë marrëdhënie të mira me Bashkimin Evropian, dhe për ne është shumë e rëndësishme të shohim përparimin që bën Serbia drejt BE-së”, ka thënë Hill. Presidenti serb ka thënë në një adresim para kombit, më 23 janar, se ekipi diplomatik evropiano-amerikan, i ka thënë atij se nëse ai nuk e pranon planin franko-gjerman për Kosovën, Serbia do të përballet me bllokim të investimeve dhe procesit të integrimit. Ai ka thënë se ky plan i BE-së, që mbështetet nga Gjermania, Franca dhe SHBA-ja, është kornizë e re negociuse për Serbinë. Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u është dorëzuar palëve në fund të verës, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike. RTK

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments