Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres shprehu shqetësim në lidhje me formën dhe përmbajtjen e disa deklaratave në mediat sociale, të përforcuara nga reduktimi i përpjekjeve monitoruese nga platformat amerikane.
“Rikthimet e fundit në kontrollin e fakteve të mediave sociale dhe moderimi i përmbajtjes po rihapin portat për më shumë urrejtje, më shumë kërcënime dhe më shumë dhunë”, tha Guterres në hapjen e seancës së Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së në Gjenevë.
Në janar, kompania mëmë e Facebook-ut “Meta” hoqi kontrollimin e fakteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku më parë ishte përdorur për të ekspozuar dezinformata.
“Mediat sociale, në rastin më të mirë, ofrojnë një platformë për shkëmbimin e ideve dhe debatin e respektueshëm”, tha Guterres.
“Dhuna verbale në internet mund të kalojë lehtësisht në dhunë fizike në jetën reale”, paralajmëroi ai.
“Këto rikthime do të çojnë në më pak liri të fjalës, pasi njerëzit bëhen gjithnjë e më të frikësuar për t’u angazhuar në këto platforma”, shtoi Guterres.
“Të drejtat e njeriut, janë oksigjeni i njerëzimit, por aktualisht po “mbyten” në shumë fusha”, tha ai.
Ai përmendi luftërat, konfliktet dhe ndryshimet klimatike.
“Autokratët po shtypin opozitën – pasi kanë frikë nga ajo çfarë do të bënte një popull me të vërtetë i fuqizuar – ndërsa “luftënxitësit” nuk tregojnë respekt ndaj ligjit ndërkombëtar, ligjit ndërkombëtar humanitar dhe Kartës së OKB-së”, tha Guterres.
Guterres nuk përmendi ndonjë shtet specifik.