Gjermania, Franca dhe Spanja kanë arritur një marrëveshje politike për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit ajror luftarak të ardhshëm (FCAS), njoftoi sot Ministria gjermane e Mbrojtjes. “Pas negociatave intensive, tashmë është arritur marrëveshja për fazën tjetër të programit FCAS”, tha ministria. Marrëveshja hap rrugën për vazhdimin e projektit miliarda dollarësh, për të cilin Franca ka përgjegjësinë e përgjithshme. “Marrëveshja politike për FCAS është një hap i madh dhe një shenjë e rëndësishme e bashkëpunimit të shkëlqyer franko-gjermano-spanjoll”, tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht. “FCAS forcon aftësitë ushtarake të Evropës dhe siguron njohuri të rëndësishme për industrinë tonë, por edhe për atë evropiane”, shtoi ajo. Kohët e fundit, projekti kishte shkaktuar tension, veçanërisht mes Gjermanisë dhe Francës. Dassault dhe Airbus, kompanitë e përfshira në zhvillimin e llojit të ri të avionëve luftarakë, nuk kishin arritur të binin dakord për ndarjen e detyrave dhe industria kishte negociuar për më shumë se një vit. Marrëveshja u arrit përpara një takimi midis kryeministres franceze, Elisabeth Borne dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz që pritet të zhvillohet të enjten e ardhshme, në Berlin. FCAS është vendosur të jetë funksionale nga viti 2040 dhe të zëvendësojë “Eurofighter”. Kostoja totale është vlerësuar në rangun e qindra miliarda eurove. Industritë e Gjermanisë, Francës dhe Spanjës janë të përfshira në këtë projekt.https://ata.gov.al/2022/11/18/paris-gjermania-franca-dhe-spanja-marreveshje-per-sistemin-ajror-luftarak/
Gjermania, Franca dhe Spanja marrëveshje për sistemin ajror luftarak
RELATED ARTICLES