“Vepra “Portrait of a Young Girl”, e realizuar nga artisti holandez Toon Kelder, dyshohet se ka qëndruar për disa dekada, në shtëpinë e familjes së Hendrik Seyffardt, një ish-gjeneral holandez që shërbeu në një njësi vullnetare të “Waffen-SS” në Frontin Lindor gjatë luftës”, tha hetuesi i artit Arthur Brand.
Më vonë, ai konfirmoi se piktura i ishte dorëzuar ekipit të tij.
Piktura i përkiste koleksionistit hebre, Jacques Goudstikker, i cili vdiq gjatë arratisjes nga pushtimi nazist i Holandës, duke lënë pas më shumë se 1,000 vepra arti.
Rasti u bë publik pasi një pasardhës i Seyffardt kontaktoi Brand, i shqetësuar kur mësoi për origjinën e veprës.
Pas kësaj, ai pyeti gjyshen e tij për historinë e pikturës.
Ajo dyshohet se i kishte thënë se ishte blerë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe se ishte “art i grabitur hebre, i marrë nga Goudstikker”, duke shtuar se “nuk mund të shitej dhe nuk duhej t’i tregohej askujt”.
Familja, e cila ndryshoi mbiemrin pas luftës, ka pranuar se e kishte në zotërim pikturën, por ka mohuar të ketë ditur origjinën e saj, sipas deklaratave për mediat holandeze.
Pas zbardhjes së historisë, një anëtar i familjes kontaktoi Arthur Brand përmes një ndërmjetësi, duke besuar se mënyra e vetme për kthimin e veprës ishte bërja publike e rastit.
Ai deklaroi për gazetën holandeze “De Telegraaf”: “Më vjen turp. Piktura duhet t’u kthehet trashëgimtarëve të Goudstikker”.
Hetuesi Arthur Brand nisi më pas kërkime të pavarura dhe zbuloi një etiketë në pjesën e pasme të veprës, si dhe numrin 92 të gdhendur në kornizë.
Ai gjeti gjithashtu dokumente të një ankandi të vitit 1940, ku një vepër me të njëjtin numër ishte listuar si “Portrait of a Young Girl (Portreti i një vajze të re) nga Toon Kelder.
Brand beson se piktura u sekuestrua nga Hermann Göring, një nga figurat më të fuqishme të regjimit nazist, pasi Goudstikker u largua drejt Britanisë së Madhe në vitin 1940.
Më pas ajo u shit në ankand dhe përfundoi në zotërim të Seyffardt, duke kaluar më pas te trashëgimtarët e tij.
Pas nisjes së hetimeve, Brand kontaktoi avokatët e trashëgimtarëve të Goudstikker, të cilët konfirmuan se koleksionisti kishte në pronësi disa vepra të Toon Kelder dhe se ato ishin përfshirë në ankandin e vitit 1940.
Ai e përshkroi zbulimin si “të jashtëzakonshëm”, duke thënë se ishte “rasti më i pazakontë i karrierës së tij”.
Sipas tij, nëse piktura do të dilte në shitje, ajo mund të vlente nga mijëra deri në dhjetëra mijëra euro, megjithëse shitja e artit të grabitur gjatë luftës është përgjithësisht e paligjshme në shumë vende.
Brand shtoi se vepra tashmë i është dorëzuar ekipit të tij, ndërsa rasti ngjason me raste të mëparshme të veprave të grabitura nga nazistët që janë zbuluar dekada më vonë në koleksione private në mbarë botën.





