Libri “Fjalor leksiko-frazeologjik i Malësisë së Madhe” i akademikut Gjovalin Shkurtaj u promovua nga Akademia e Shkencave në në edicionin e tretë të panairit “Verë në Malësi” mbajtur në Tuz të Malit të Zi. Ky libër është fryt i një pune mbledhëse shumëvjeçare, për të cilën autori ka filluar ta punojë qysh në vitin 1969. Fjalori përmban një numër të madh fjalësh, kuptimesh dhe togfjalëshash të qëndrueshëm e frazeologjikë, shoqëruar edhe me fjalë të urta e mënyra të thëni të kësaj treve gjuhësore, duke synuar të bëjë një paraqitje sa më tërësore të pasurisë së madhe leksikore e frazeologjike të krahinës. Fjalori nxjerr në pah pasurinë shumë të madhe që kanë të folmet e Malësisë së Madhe, si dhe afrinë e tyre njëra me tjetrën. Në këtë vepër, veç të tjerash, ka emra kafshësh e bimësh, mënyra të thëni e përshëndetje tipike malësore, betime, urime e mallkime, si dhe një numër jashtëzakonisht të madh togfjalëshash e etnikësh. Autori ia del që shpjegimet e kuptimeve të jenë sa më të thjeshta e të përshtatshme për përdoruesit e tij. Në vlerësimin e akademikut Shaban Sinani, ky fjalor është një rezervat gjuhe dhe kulture, tradite e trashëgimie, që u jep lehtësi studiuesve të rinj të disa fushave. Vepra ofron një pamje enciklopedike të jetës tradicionale të krahinës, duke u dhënë përfaqësim vlerave gjuhësore të fisnikëve e skamnorëve, të shkrimtarëve të shquar si Fishta e Camaj dhe të rapsodëve e urtakëve; është një libër kujtese të pashkruar e të shkruar. Akademia e Shkencave, duke nisur botimin e fjalorëve dialektologjikë krahinorë dhe të atyre historikë, njëherësh konfirmon vlerësimin e saj se dialektet dhe të folmet lokale janë trashëgimi e pasuri kombëtare. Akademiku emeritus Gjovalin Shkurtaj foli në mbyllje për historikun e përgatitjes së veprës së tij, duke ia njohur shumë prej meritave që iu përmendën nga recensuesit pasurisë gjuhësore të krahinës. Në përfundim komunës së Tuzit iu dhurua një koleksion botimesh të zgjedhura të Akademisë së Shkencave, akt që u duartrokit nga të pranishmit.https://ata.gov.al/2022/08/29/fjalor-leksiko-frazeologjik-i-malesise-se-madhe-i-gjovalin-shkurtaj-rezervat-gjuhe-dhe-trashegimie/