Banka Botërore ka njoftuar akordimin e një financimi shtesë prej 4.5 miliardë dollarësh për Ukrainën në kuadër të Projektit të Shpenzimeve Publike për Qëndrueshmërinë e Kapacitetit Administrativ në Ukrainë (PEACE), bëri të ditur sot agjencia turke e lajmeve “Anadolu Agency” (AA). Projekti synon të ndihmojë qeverinë e Ukrainës në përmbushjen e nevojave urgjente si pasojë e luftës dhe agresionit rus kundër këtij vendi. Grupi i Bankës Botërore tha se paketa e financimit është ndihmë financiare e akorduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Financimi shtesë akordohet për t’i ardhur në ndihmë qeverisë ukrainase të realizojë funksionet e saj administrative dhe të ofrojë shërbimet në nivel kombëtar dhe rajonal, për të mbuluar pagesat sociale, shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe pensionet, në mënyrë që të zbusë ndikimet sociale dhe ekonomike të luftës. “Ukraina ka nevojë për shërbime të vazhdueshme qeveritare, përfshirë shëndetin, arsimin dhe mbrojtjen sociale për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të kushteve të jetesës dhe varfërisë”, tha David Malpass, president i Grupit të Bankës Botërore.https://ata.gov.al/2022/08/09/banka-boterore-financim-shtese-prej-4-5-miliarde-dollaresh-per-ukrainen/