Në shkurt të këtij viti Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit nënshkroi me Bankën Evropiane të Investimeve, marrëveshjen për një grant asistence teknike prej 350 mijë eurosh.
Granti do të mundësojë shërbime këshillimore për restaurimin urban dhe rindërtimin e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, një objekt trashëgimie i Shqipërisë i dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019.
Granti do të financojë përgatitjen, projektimin dhe rishikimet teknike të projektit, mbikëqyrjen, menaxhimin dhe prokurimin e projektit.
Përmes këtij financimi do të zhvillohet faza e dytë të përditësimit të projektit, duke garantuar përgatitjen dhe projektimin teknik të të gjithë rikonstruksionit të brendshëm, rishikimet e detajuara, zbatimin e muzeumit të ri, si edhe mbikëqyrjen dhe menaxhimin profesional të çdo etape të tij.
Ky proces do të sigurojë që restaurimi e rinovimi të përmbushë standardet më të larta ndërkombëtare të cilësisë, rijetësimit profesional, efikasitetit energjetik dhe qëndrueshmërisë ndaj kushteve klimatike e flukseve të vizitorëve.
Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981. Ai është institucioni më i rëndësishëm muzeor në Shqipëri. Muzeu Historik Kombëtar ka shtatë pavijone: Lashtësia, me 585 objekte; Mesjeta, me 217 objekte; Ikonografia, me 90 objekte (nga të cilat 70 janë ikona dhe 20 janë objekte liturgjike kishtare); Rilindja Kombëtare, me 230 objekte; Pavarësia, me 142 objekte, etj.





