Në qendrën “Sotir Kolea”, aneks i të Bibliotekës Kombëtare, u dorëzuan pajisje të teknologjisë së lartë dhe moderne, që do të ndihmojnë në konservimin dhe aksesimin e librave online, duke kontribuar në ruajtjen e kulturës dhe trashëgimisë shqiptare. Këto pajisje, me vlerë 668,922 euro, përfshin servera, skanera të librave dhe të barkodeve, laptopë, tableta, pastrues të specializuar, dezinfektues dhe dhoma tharje, makina pastrimi për heqjen e aciditetit të letrës së librave, etj., të cilat do të rrisin ndjeshëm shërbimet e bibliotekës.
“Këto pajisje do të sigurojnë standardet më të larta të ruajtjes dhe restaurimit të librave, do të përmirësojnë efikasitetin duke lejuar trajtimin e një vëllimi më të madh librash brenda një afati më të shkurtër kohor dhe do të rrisin qasjen në koleksionet e librave nga studiuesit dhe publiku. Ky mund të jetë gjithashtu një model për t’u ndjekur nga bibliotekat dhe arkivat e tjera në të gjithë vendin”, vuri në dukje Pamela Lama, drejtuese e UNOPS në Shqipëri.
14 organizata të shoqërisë civile do të marrin grante për të mbështetur zhvillimin social dhe ekonomik përmes trashëgimisë kulturore. Programi i granteve EU4Culture fokusohet në shfrytëzimin e zejeve tradicionale dhe turizmit kulturor për nxitjen e zhvillimit social-ekonomik në komunitetet lokale. Grantet e akorduara në fazën e dytë të programit, me një shumë totale prej 590,785.16 dollarë (rreth 551,025.32 euro) do të mbështesin nismat e shoqërisë civile që synojnë zhvillimin e artizanatit, turizmit inovativ, platformave digjitale dhe eventeve kulturore në bashkinë e Tiranës, Mirditës, Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës dhe Krujës, trashëgimia kulturore e të cilave është prekur nga tërmeti i vitit 2019.