Sunday, November 24, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTSPORTEliminimi nga Conference League

Eliminimi nga Conference League

 Trajneri i “Partizanit”, Zoran Zekiç, është shfaqur i zhgënjyer pas eliminimit nga Conference League të të kuqve.

Sipas Zekiç, të kuqve në barazimin 1-1 përballë “Astanas”, i mungon të paktën një penallti për të tijët, që gjyqtari duhet ta kishte vërshëllyer.

“Padyshim jam i zhgënjyer, të gjithë janë të zhgënjyer. Nëse vjen tani në dhomat e zhveshjeve, nuk është situatë e mirë, por ky është futbolli. Luajtëm me karakter, bëmë disa gabime. Ishte shkatërrimtare për ne, folëm në pushimin e ndeshjes që të ishim të përqendruar dhe të luanim si në pjesën e parë, por humbëm kontaktin e parë, krosin e parë dhe pësuam”, tha Zekiç.

“Besuam deri në fund, por nuk kam çfarë të them. Aktivizova Kekon dhe Prekën në sulm që të mundoheshim me disa krose, kishim 2-3 raste të mira, nuk shënuam. Nuk është alibi, por mungonin 5-6 lojtarë, nuk është e lehtë, grupi jonë ishte i kufizuar. Grezdën e futa, por nuk isha i sigurt nëse mund të vraponte apo jo”.

“Nuk është se kam qejf të flas për gjyqtarët, në pjesën e parë dha karton pas pak minutash. Atanaskoski luajti gjithë ndeshjen me të verdhë. E pashë tani situatën e Rrapajt. Ndoshta jam subjektiv, por për mua është 100% penallti. Nuk e di pse e ka VAR-in kur nuk shkoi ta kontrollonte.

Sot kërkuam të kishim shumë situata një kundër një, ishte e qartë se kërkonim të bënim presing të lartë. Nëse nuk krijon situata të tilla, nuk bën dot presing. Ne nuk kishim asnjë problem, bëmë një gabim, të dytin dhe pastaj ishim nervozë. Ne lexuam mirë ndeshjen. Astana luajti me top të gjatë dhe u thashë lojtarëve të rrinin afër Atanaskovskit dhe të mbyllnin Tomasov”, deklaroi Zekiç.

“Grupi ishte i tillë dhe unë pashë që kishim situata me forcën, me mbajtjen e topit dhe kishin mbetur 6 minuta dhe vendosa Prekën që të luante si sulmues, ishte e vetmja gjë që mund të bënte. Unë e di situatën në dhomat e zhveshjeve dhe çfarë kishim në dispozicion. Kjo ishte mënyra më e mirë, nëse Preka do të shënonte, tani do të thoshim që ishte një super vendim. Por ata qëndruan mbrapa, nuk patëm hapësira, në fund them kishim shanset, por nuk ia dolëm të shënonim”, tha më tej trajneri i të kuqve.

“Ana psikologjike dhe fizike është e lidhur, por nuk kemi shumë eksperiencë. Nëse shkon brenda dhe flet diçka dhe pas një minutë e pëson kështu… Kisha tre lojtarë në qendër dhe portierin e nuk bëmë asgjë në zonë te goli. Ishim nervozë dhe të lodhur se në pjesën e parë lëviznim shpejt, dilnim pa probleme, por pasi ndodhi kjo, kishim problem”, tha trajneri Zekiç.

“Nëse do të bësh presing është e vështirë ta luash gjithë ndeshjen nëse nuk ke zëvendësues. Nëse e pëson golin si ne, është pak problem. Nuk më pëlqen se ishim të paqartë në disa pasime, bëmë gabime pa trysni. Në fund kishim dy në mesfushë, Maget dhe Bilalin. Nëse do të kishim lojtarë të tjerë nuk do ankohesha. Por vuajtëm në këtë pjesë të ekipit në pjesën e dytë dhe ky është problemi. I lumtur me paraqitjen e Bintsukas”, tha ai.

Zekiç foli edhe për daljen e parë në kampionat këtë të dielë. “Nëse flet për të dielën, ky është roli im dhe duhet të përmirësoj këdo. Duhet të luajmë në nivelin që mund të japim në këtë moment. Mendërisht dhe fizikisht është e vështirë, por duhet të nisim me kampionatin. Ka 2-3 skuadra të mira dhe nuk mund të humbim pikë. Çfarë ndodh në të ardhmen do ta shohim. Unë punoj kështu, me më shumë besim dhe duke kuptuar disa situata. Jam i sigurt se do të luftojmë dhe luajmë një futboll më të mire”, përfundoi Zekiç.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments