Kreshnik Xhiku solli në galerinë FAB 21 vepra të tij, prurje të viteve të fundit. Paraqitja e fundit e skulptorit Xhiku, i përkiste vitit 2018, me ekspozitën “Njeriu Vitruvian”. Kësaj here 21 veprat e tij, të sjella me materiale të ndryshme, paraqesin elemente të folklorit si dhe personazhe të ditëve tona dhe ekspozita mban titullin “Opus Continuum”. Nuk kemi të bëjmë më me proporcionet ideale të njeriut në harmoni me veten e universin, por figura femërore emblematike. Të përzgjedhura me kujdes nga habitati i tyre, ato duken herë si monumente të gjalla arkeologjike e herë si copëza të qytetit të origjinës. Vajzat shoqërohen nga një seri figurash të stilizuara, frymëzuar nga vizatime me linja të zhdërvjellta, materializuar duke abstraguar por pa humbur identitetin e tyre. Si kundërpeshë, autori prezanton edhe figura më statike. Kështu kemi kalime nga xhubleta tek veshja urbane me tuta e xhup të verdhë. Ndër veprat e Xhikut kujtojmë edhe një bust të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i vendosur vite më parë, në një qytezë arbëreshe të Italisë. atsh