Duke synuar Rusinë, prodhuesin më të madh në botë të diamanteve të papërpunuara, eksportet e së cilës shkojnë në 4.7 miliardë dollarë në vit, me sanksione të reja, Evropa po kërkon mënyrë për krijimin e një sistemi gjurmimi që tregon vendin e origjinës së diamantit për të parandaluar qarkullimin e diamanteve ruse në tregtinë ndërkombëtare. Në vitin 2021, prodhimi global i diamanteve të papërpunuara ishte 118.7 milionë karat, sipas të dhënave të përpiluara nga Anadolu nga Procesi Kimberley (KP). Rreth 39.1 milionë karat të sasisë së përgjithshme janë prodhuar nga Rusia, që përbën 33 për qind. Kompania ruse e minierave “Alrosa”, e cila furnizon 90 për qind të prodhimit të Rusisë, aktualisht është subjekt i sanksioneve të Kanadasë, Britanisë së Madhe, SHBA-së, Zelandës së Re dhe Bahameve. Botsvana përbën 19.1 për qind të prodhimit global të diamanteve të papërpunuara, Kanadaja prodhon 14.8 për qind, Republika Demokratike e Kongos prodhon 10.9 për qind dhe Afrika e Jugut 8.2 për qind. Në vitin 2021, vlera e prodhimit të përgjithshëm të diamantit të papërpunuar ishte 12.9 miliardë dollarë. Tregtarët në qendrat e tregtimit të diamanteve të papërpunuara në Antuerp (Belgjikë), Dubai (Emiratet e Bashkuara Arabe), Mumbai (Indi) dhe Tel Aviv (Izrael) kanë të drejtë të blejnë sasi të caktuar diamantesh të papërpunuara nga minierat çdo vit. Diamantet e papërpunuar, të cilët janë bërë pjesë e zinxhirit të furnizimit përmes këtyre qendrave tregtare, shndërrohen në mallra luksi të konsumit në qendrat e përpunimit, veçanërisht në Indi. – 90 për qind e diamanteve përpunohet në Indi Sipas platformës së të dhënave ekonomike Observatorit i Kompleksitetit Ekonomik (OEC), India renditet e para në botë me 26 miliardë dollarë importe të diamanteve të papërpunuara në vitin 2021 ndërsa eksportet e saj të diamantit arritën në 26.3 miliardë dollarë. Në Indi, ku përpunohen 9 nga 10 diamante në botë, llogaritet se në këtë industri në mënyrë direkte ka një milion të punësuar dhe 5 milionë në mënyrë indirekte. India shquhet si vendi ku përpunohen kryesisht gurët e vegjël. India eksportoi 10.2 miliardë dollarë diamante në SHBA, tregun e saj më të madh të eksportit, në vitin 2021. Hong Kongu përbën 6.75 miliardë dollarë të eksporteve të Indisë, Belgjika 2.38 miliardë dollarë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) 2.23 miliardë dollarë. Pjesa e Indisë në importet e diamanteve në SHBA në 2021 ishte 55.7 për qind. Eksportet e diamanteve të Belgjikës, një nga qendrat e tregtisë së diamanteve në botë, në vitin 2021 u llogaritën në 13.9 miliardë dollarë dhe importet 13.7 miliardë dollarë. Importet e diamanteve të EBA-së arritën në 13 miliardë dollarë në vitin 2021 ndërsa eksportet e saj ishin 13.6 miliardë dollarë. Rusia eksportoi 4.7 miliardë dollarë diamante në vitin 2021 krahasuar me 323 milionë dollarë importe. Rusia në vitin 2021 eksportoi 40 për qind të diamanteve të saj në Belgjikë, 27 për qind në EBA, 18.8 për qind në Indi dhe 8.3 për qind në Izrael. Importet e Izraelit në vitin 2021 arritën në 6.73 miliardë dollarë ndërsa eksportet arritën në rreth 9.1 miliardë dollarë. – 60 për qind e diamantit rus përpunohet në Indi Të ardhurat totale të eksportit të Rusisë në vitin 2021, e cila iu nënshtrua sanksioneve të shumta nga vendet perëndimore për shkak të luftës që filloi në Ukrainë vitin e kaluar, arritën në 494 miliardë dollarë. Të ardhurat nga nafta dhe gazi përbënin rreth gjysmën e këtyre të ardhurave. Megjithëse eksportet e diamanteve mbeten më të ulëta në eksportet e përgjithshme, BE-ja planifikon të sanksionojë këtë sektor për të ulur të ardhurat e Rusisë nga eksporti. Në pakon e 11-të të sanksioneve, BE-ja kërkon të krijojë një sistem global gjurmimi që tregon vendin e origjinës për të parandaluar jo vetëm importin direkt nga Rusia, por edhe shitjen e diamantit të papërpunuar rus në tregtinë ndërkombëtare përmes vendeve apo qendrave të ndryshme tregtare. Me këtë sistem gjurmimi, produktet ruse të diamantit të papërpunuar do t’i nënshtrohen sanksioneve, edhe nëse ato nuk shiten drejtpërdrejt në vendet perëndimore, por përpunohen dhe kthehen në produkte në një vend tjetër. Vlerësohet se 60 për qind e produkteve të diamantit rus përpunohet në Indi. Prandaj, nëse zbatohet një sistem që mund të gjurmojë vendin e origjinës, parashikohet se sektori rus i diamanteve do ketë një ndikim negativ si dhe tregtia e diamanteve në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në Mumbai dhe Antwerp, si dhe do të vijë deri të rritja e çmimit për shkak të rënies së ofertës. Mundësia e ndërprerjes së tregtisë me SHBA-në, e cila është një nga tregjet më të mëdha të diamanteve për sa i përket produkteve të gatshme, përbën rrezik për ekonomitë si India, ku pesha e këtij sektori është e lartë. – Sanksionet e diamantit në axhendën e G7 Sanksionet ndaj diamantit rus ishin në axhendën para dhe gjatë Samitit të Liderëve të G7 të organizuar nga Japonia më 19-21 maj. Në një deklaratë para samitit, presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel tha se ata tani janë të fokusuar në mbylljen e zbrazëtirave ligjore të sanksioneve, duke shtuar: “Tani do të kufizojmë tregtinë me diamantet ruse”. “Diamantet ruse nuk janë jetike dhe ne do të tregojmë hapur dhe sinqerisht pse këto sanksione janë të nevojshme dhe të justifikuara”, tha Michel. Gjatë samitit, Britania e Madhe njoftoi se do të vendosë ndalesë për importet e diamanteve ruse deri në fund të këtij viti. atsh
Eksportet e diamanteve ruse në vlerë 4.7 miliardë dollarë
RELATED ARTICLES