Përballë presionit të presidentit amerikan Donald Trump, Egjipti ka shpallur planin e tij të rindërtimit për Rripin e Gazës.
“Egjipti shpreh aspiratën e tij për të bashkëpunuar me administratën amerikane…për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse dhe të drejtë në rajon – duke arritur një zgjidhje të drejtë të çështjes palestineze që mbështet të drejtat e popujve të rajonit”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme në Kajro.
“Rindërtimi i Rripit të Gazës duhet të kryhet në një mënyrë që të sigurojë që populli palestinez të mbetet në atdheun e tij dhe në përputhje me të drejtat e tij legjitime dhe ligjore”, sipas deklaratës.
Egjipti tha se një zgjidhje me dy shtete, e cila parashikon bashkëjetesën e Izraelit dhe një shteti palestinez si shtete të pavarura, ishte rruga e vetme drejt stabilitetit dhe bashkëjetesës midis popujve të rajonit.
Një javë më parë, presidenti Trump propozoi që SHBA-ja të “merrte përsipër” dhe të rrafshonte territorin bregdetar të shkatërruar nga lufta, të zhvendoste gati 2 milionë palestinezë që jetojnë atje dhe të përfshihej në një përpjekje masive rindërtimi për të krijuar “Rivierën e Lindjes së Mesme”.
Trump përmendi dje edhe një herë vlerën e Gazës në terma të pasurive të paluajtshme, duke vënë në dukje se “ajo ndodhej përballë detit”.
Presidenti amerikan tha se pret që të arrihet një marrëveshje me fqinjët e Izraelit, Egjiptin dhe Jordaninë për zhvendosjen e palestinezëve.
Megjithatë, të dyja vendet e kanë hedhur poshtë me vendosmëri idenë e akomodimit të palestinezëve nga Rripi i Gazës.
Plani ka ngjallur kritika të ashpra nga aleatët dhe kundërshtarët e Uashingtonit, megjithëse kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka vlerësuar idenë.