Dogana Shqiptare iu bashkua Aleancës së Grave në Uniformë, nismë e British Embassy Tirana, duke marrë pjesë në tre seminare frymëzuese për punonjëset e agjencive ligjzbatuese nën uniformë, organizuar nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, në bashkëpunim me WeWomen Albania.
Të mbajtura në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë, këto seminare u ndoqën edhe nga koleget e Policisë së Shtetit të Forcave të Armatosura Shqiptare dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Tema kryesore e tyre ishte fuqizimi i grave në uniformë drejt barazisë në të gjithë sektorët e sigurisë në Shqipëri, duke edukuar dhe fuqizuar ato për të shkëlqyer në rolet e tyre profesionale.
Administrata Doganore Shqiptare u përfaqësua nga specialiste me eksperiencë disa vjeçare të cilat në fund të trajnimeve u pajisën edhe me certifikata në aftësi thelbësore si, “Komunikimi Efektiv” apo “Aftësitë e Prezantimit”.
“Aleanca e grave në uniformë” është nismë e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Shqipëri në bashkëpunim me Doganën Shqiptare, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Drejtësisë.