Saturday, November 23, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTUREEdith Durham, “mbretëresha e maleve”

Edith Durham, “mbretëresha e maleve”

“Mbretëresha e maleve”, Edith Durham, ndërroi jetë më 15 nëntor 1944. Shkrimtarja britanike arriti të depërtojë në zemrat e shqiptarëve dhe të gëzojë simpatinë e tyre përmes shkrimeve të karakterit antropologjik mbi trojet e vendit në kapërcyell të shek. të XX-të. Durham do të militonte edhe në mbrojtje të çështjes shqiptare, atëherë kur Shqipëria përbënte një nga zonat më të izoluara e të prapambetura të Evropës. Për 20 vjet udhëtoi nëpër Ballkan. Ajo punoi gjerësisht duke pikturuar, shkruar dhe duke mbledhur artin dhe folklorin e zonave nga kaloi. Pavarësisht nga kjo, vetëm shkrimet e saj do t’i jepnin famë të madhe. Ajo shkroi 7 libra rreth çështjeve të Ballkanit, nga të cilët më i njohuri është “Shqipëria e Epërme” (High Albania) e shkruar në vitin 1909. Edith Durham-i e kishte origjinën prej një familjeje të madhe dhe të pasur nga veriu i Londrës. Ajo ishte më e madhja prej tre vëllezërve dhe gjashtë motrave, të cilët qenë të suksesshëm në karrierat e tyre. Vetë Edith-i përfundoi “Bedford College” në Londër (1878-1882) dhe më pas studioi për pikturë dhe vizatim në Akademinë Mbretërore të Arteve. Udhëtimi i parë (1900-1901). Pas vdekjes së të atit, Durham-it iu desh që, për vite me radhë, të kujdesej për nënën e sëmurë. Në moshën 37-vjeçare, me këshillën e mjekut, ajo shkoi për pushime jashtë vendit, për t’u qetësuar. Me anë të rrugëve detare, u nis nga Anglia për në brigjet e Dalmacisë dhe e vazhdoi udhëtimin për në Trieste e Kotor, ndërsa në fund shkoi në Cetinjë, kryeqyteti i Malit të Zi. Kjo pjesë e vogël dhe e harruar e botës do t’i linte mbresa të thella. Udhëtimi i dytë (1902-1903). Pasi kishte mësuar pak serbisht dhe shumë më tepër për historinë e Ballkanit, Durham-i bëri një udhëtim në Serbi, për të mbledhur të dhëna për librin e saj të parë, Përmes trevave të Serbit (Through the Lands of the Serb), Londër 1904. Në libër përfshihen edhe rrëfimet për vizitat e saj në Shkodër dhe në Kosovë. Duhet theksuar se ato udhëtime kërkonin guxim dhe këmbëngulje të madhe, sidomos për një femër që udhëtonte vetëm. Udhëtimi i tretë (1904). Në fund të vitit 1904 ajo u kthye për një qëndrim pesëmujor në Ballkan, ku punoi për Komitetin Humanitar Maqedonas. Mbresat e këtij udhëtimi përshkruhen në librin Brenga e Ballkanit (The Burden of the Balkans), Londër 1905. Në libër përfshihen edhe rrëfimet e udhëtimit të saj të parë në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme – nga Manastiri në Korçë, Leskovik, Përmet, Pojan, Berat, Mirditë, Tepelenë, Elbasan e Shkodër. Udhëtimi i katërt (1906-1907). Në vitet 1906-1907 udhëtoi në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë për të mbledhur materialin etnografik që u botua shumë më vonë në librin e saj Disa prejardhje fisnore, ligje dhe zakone të Ballkanit (Some Tribal Origins, Laws and Customs of the Balkans), Londër 1928. Udhëtimi i pestë (1908). Në verën e vitit 1908, ajo ndërmori një udhëtim tjetër në Malin e Zi dhe prej aty shkoi në Shkodër dhe pastaj, përmes Malësisë së Veriut, shkoi në Kosovë. Këtë udhëtim e ka përshkruar në librin e saj më të njohur, Shqipëria e Epërme (High Albania), Londër, 1909. Udhëtimi i gjashtë (1911-1913). Ngaqë u sëmur rëndë nga malaria, Edith Durham-i e kaloi dimrin e vitit 1910 në Egjipt, ndërsa një vit më vonë u kthye në Shkodër dhe u strehua në familjen Shantoja. Libri Lufta për Shkodrën: turq, sllavë e shqiptarë (The Struggle for Scutari: Turk, Slav and Albanian), Londër 1914, përqendrohej në rrethimin e përgjakshëm malazez të Shkodrës, në kohën e pavarësisë së Shqipërisë. Udhëtimi i shtatë (1921). Për herë të fundit erdhi në Shqipëri në vitin 1921, ku u takua me Fan Nolin.https://ata.gov.al/2022/11/15/perkujtohet-edith-durham-mbreteresha-e-maleve/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments