Në një ceremoni për 85-vjetorin e pushtimit gjerman të Polonisë, presidenti polak Andrzej Duda i kërkoi edhe një herë Berlinit kompensime për dëmet e pësuara gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Falja dhe pranimi i fajit janë një gjë, dëmshpërblimet për dëmin janë një gjë tjetër”, tha Duda në qytetin e vogël polak të Wieluń, i cili ishte në atë kohë afër kufirit gjermano-polak.

“Dhe kjo çështje ende nuk është zgjidhur”, tha ai, duke shtuar se “u bënë 80 vjet nëse llogaritet periudha e Luftës së Dytë Botërore”.

Pushtimi gjerman i Polonisë më 1 shtator 1939, konsiderohet fillimi i Luftës së Dytë Botërore.

Megjithëse beteja e parë shihet si bombardimi i Westerplattes, Wieluń u bombardua nga ”Luftwaffe” më parë, me vlerësime që sugjerojnë se deri në 1 200 civilë u vranë vetëm në atë sulm.

Duda vjen nga radhët e konservatorëve që drejtuan Poloninë nga viti 2015 deri në vitin 2023. Në atë kohë, qeveria kishte dëmtuar rëndë marrëdhëniet me Berlinin me retorikën antigjermane dhe kërkesat për dëmshpërblime që arrijnë në 1,3 trilion euro.

Megjithatë, edhe për qeverinë aktuale të qendrës së majtë të kryeministrit të Polonisë, Donald Tusk, e cila ka në detyrë që nga dhjetori, çështja e reparacioneve të Luftës së Dytë Botërore nuk është jashtë tryezës së bisedimeve