Sot është Dita Ndërkombëtare e Shahut, një nga lojërat më të lashta, intelektuale dhe kulturore, me një ndërthurje të sportit, të menduarit shkencor dhe elementeve të artit. Si një aktivitet i përballueshëm dhe gjithëpërfshirës, ai mund të ushtrohet kudo dhe të luhet nga të gjithë, përtej barrierave të gjuhës, moshës, gjinisë, aftësive fizike apo statusit social. Shahu është një lojë tavoline strategjike me dy lojtarë, ku qëllimi është që të lëvizin lloje të ndryshme të gurëve të shahut, me një grup të caktuar lëvizjesh të mundshme, rreth një dërrase katrore me kuadrate duke u përpjekur të kapet “mbreti” kundërshtar. Sot ka mbi 2000 variante të identifikueshme të lojës. Një teori është se një lojë e hershme e ngjashme me shahun e quajtur Chaturanga filloi në Indi dhe u përhap përgjatë Rrugës së Mëndafshit në perëndim të Persisë. Ndërsa shahu modern besohet të ketë rrjedhur nga Chaturanga që do të thotë “katër divizione” duke iu referuar ose ndarjeve të pjesëve të lojës në këmbësoria, kalorësia, elefanti dhe karroca, ose për faktin se loja u luajt nga katër lojtarë. Chatrang, dhe më vonë Shatranj, ishte emri që iu dha lojës kur mbërriti në Persinë Sasanide rreth vitit 600 të erës sonë. Në vitin 900 të erës sonë, mjeshtrat e shahut abasid al-Suli dhe al-Lajlaj kompozuan vepra mbi teknikat dhe strategjinë e lojës, dhe në vitin 1000 të erës sonë shahu ishte i popullarizuar në të gjithë Evropën dhe në Rusi, ku u prezantua nga Stepa Euroaziatike. Më 12 dhjetor 2019, Asambleja e Përgjithshme shpalli 20 korrikun si Ditën Botërore të Shahut për të shënuar datën e themelimit të Federatës Ndërkombëtare të Shahut (FIDE) në Paris në vitin 1924. Me iniciativën e FIDE-s, 20 korriku shënohet si Dita Ndërkombëtare e Shahut nga shahistët në mbarë botën që nga viti 1966. atsh