Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, apeloi që të shikohet përtej të kaluarës së Ballkanit Perëndimor për një të ardhme pa konflikte dhe të qëndrueshme për gjithë rajonin. “Më shumë se të urojmë gëzuar, sot duhet të hedhim sytë rreth e rrotull botës për gjithçka ndodh, që nga fëmijët dhe të rinjtë në Ukrainë të cilët këtë vit u zgjuan plot herë nga bombardimet, në Iran ku vajzat po protestojnë për vrasjen e 22-vjeçares nga policia për shkak se nuk kishte vendosur hixhabin, e deri te ndryshimi i regjimit që vajzat të lejohen të shkojnë në shkollë”, u shpreh ajo. Muzhaqi tha se sot është dita të solidarizohemi me të gjithë ata që nuk e kanë paqen, për të cilën çdo ditë duhet të angazhohemi të gjithë. “Detyra jonë si qytetarë është t’ju mësojmë fëmijëve dhe të rinjve të pranojnë ndryshimin, të jenë tolerantë, të mësojnë të drejtat e tyre dhe të mos cenojnë të drejtat e të tjerëve. Në Shqipëri, me prezencën e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), ku promovohen shkëmbimet rinore në programe si “Supershkollat” apo “Route WB6”, të rinjtë tanë kanë mundësi të shikojnë përtej të kaluarës së Ballkanit Perëndimor, si dhe të krijojnë së bashku marrëdhënie të shëndosha për një të ardhme pa konflikte, të qëndrueshme dhe më të begatë për gjithë rajonin”, tha ajo.https://ata.gov.al/2022/09/21/dita-nderkombetare-e-paqes-muzhaqi-te-shohim-pertej-te-kaluares-se-ballkanit-perendimor/