Meteorologu Hakil Osmani, shpjegoi në Euronews Albania se kjo javë pritet të jetë në mbizotërimin e motit me diell, përgjithësisht në të gjithë territorin shqiptar. Në vlera minimale dhe maksimale, Osmani shpjegon se temperaturat e ajrit do pësojnë një rritje graduale, duke nisur nga dita e martë dhe në vijim.

“Dita e sotme nis në mbizotërimin e motit të qëndrueshëm, i gjithë territori shqiptar për gjatë gjithë 24 orëve do të jetë nën dominimin e intervaleve të gjata me diell.

Në zonat malore, do të kemi kalime të lehta të vranësirave, vranësira të cilat nga dita e martë deri të premten, do të bëhen më të dukshme gjatë orëve të pasditeve dhe mbrëmjes.

Sa i përket temperaturave të ajrit, në orët e para të mëngjesit, vlerat minimale në qytetet e zonave malore, janë regjistruar në 10 gradë Celsius. Në orët e pasdites do të kemi maksimumet me vlerë 34 gradë Celsius, ndërsa në zonat malore temperaturat e ajrit do të jenë makismumet jo më shumë se vlera 28 gradë Celsius. Duke filluar nga dita e martë e në vijim, do të kemi një rritje graduale të temperaturave të ajrit, ku më e ndjeshme do të jetë në pjesën e dytë të javës, duke bërë që vlerat të regjistrohen edhe në 36-37 gradë Celsius.

Edhe në orët e para të mëngjesit vlerat minimale do të pësojnë rritje”, tha meteorologu.

Për vendet e Rajonit, Osmani tha se gjithashtu do të ketë prezencë të motit me diell, por gjatë pasdites nuk do të mungojnë vranësirat e shpeshta, në intervale të shkurtra kohore.

“Sa i përket situatës në rajon, edhe vendet e rajonit, Kosova dhe Maqedonia e Veriut mbeten në mbizotërimin e motit të qëndrueshëm. Gjatë orëve të pasites do të kemi vranësira të shpeshta, ku më të dukshme do të jenë në Maqedoninë e veriut. Duke filluar nga dita e martë e në vijim, duke qenë se do të ketë rritje te lagështirës në ajër, do të bëjë që herë pas herë gjatë orëve të pasdites, do kemi prezente reshjet e izoluara të shiut, por me intervale të shkurtra kohore”, tha Hakil Osmani.