Sunday, November 24, 2024
HomeSHKENCA DHE JETACmimet shkencore kombëtare për veprat e botuara në 2019-2021

Cmimet shkencore kombëtare për veprat e botuara në 2019-2021

Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka ndarë sot çmimet shkencore kombëtare vjetore. Me çmimin “Petrit Radovicka”, u vlerësua vepra “Relievi strukturor i Shqipërisë” me autor Gjovalin Grudën. Çmimi u dha me motivacionin: “Studim monografik themelor në fushën e gjeomorfologjisë së Shqipërisë dhe gjeografisë fizike në tërësi, që trajton për herë të parë relievin strukturor të vendit tonë; e mbështetur në metodat shkencore më bashkëkohore, që sigurojnë nivelin e saj të lartë; shkruar me përgjegjësi, pas një përvoje jetësore njohjeje të terrenit specifik e të ndërlikuar të vendit”. Çmimi “Aleks Buda” iu dha veprës “Parashqevi Qirjazi dhe viti i saj 1919” me autore Teuta Toskën me motivacionin: Studim që përmban kërkim të thelluar për jetën dhe veprimtarinë e intelektuales dhe veprimtares Parashqevi Qirjazi, duke sjellë fakte dhe dëshmi historike e gjuhësore që bëhen të njohura për herë të parë; mbështetur në të dhëna arkivore e në botime të rralla; vepër me trajtime të munguara deri më tani, që do të shërbejë si nxitje për studimet të tjera. Ndërsa Anastas Angjeli dhe Adrian Civici u vlerësuan me çmimin “Eqrem Çabej” për veprën e tyre “Kriza ekonomike në kohën e koronavirusit”, vepër e cila u vlerësua si “Triptik studimor që bashkon veprat “Kriza ekonomike në kohën e koronavirusit”, “Përballë krizës – sfidat e teorisë dhe politikave ekonomike” dhe “Drejt një krize të re – energjia, inflacioni, rritje çmimesh, çoroditje e tregjeve”, me objekt zhvillimet dhe përballjet e ekonomisë shqiptare në rrethana të jashtëzakonshme, në kushtet e pandemisë dhe të krizave të ricikluara, që përmban analiza të qarta të situatave kritike që ka kaluar Bota dhe vendi, me rekomandime të vlefshme për institucionet qeverisëse dhe me vlerësime paralajmëruese për përballjen me të ardhmen”. ATA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments