Fituesit e edicionit të parë të konkursit për kompozitorët e rinj “Çesk Zadeja”, Serxhio Beqo, Kris Sopiqoti dhe Jetmir Zaganjori u vlerësuan sot me certifikata në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ku e pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Juria e cila përzgjodhi dhe vlerësoi fituesit përbëhej nga Thoma Gaqi, Pascal Pistone dhe Mircea Holiartoc. Motivacioni për fituesin e çmimit të parë, Serxhio Beqo ishte “njeh shumë mirë instrumentacionin. Ka zhvilluar një tematikë kompozicionale të denjë. Ka shfrytëzuar materialin bazë të isopolifonisë së jugut dhe ka zhvilluar mirë teknikën seriale. Ka përmbajtje muzikore. Ndjeshmëria artistike është në nivel të lartë duke premtuar perspektivën e një kompozitori të suksesshëm në të ardhmen”. Kompozitori Kris Sopiqoti, fitues i çmimit të dytë me veprën “Recalls” u shpreh se konkursi përbën mundësi të mirë për nxitjen e më të rinjve në fushën e kompozicionit. Ai tha se me këtë mundësi që jepet, veprat nuk rrinë në sirtar, por ngjiten në skenë duke iu ofruar publikut. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, publiku pati mundësinë edhe të shijojë veprat fituese në koncertin kushtuar Fondit për Kompozitorët e Rinj “Çesk Zadeja”, edicioni i parë 2022. Juria Ndërkombëtare ka vlerësuar veprat e paraqitura në interes të fondit muzikor kombëtar të krijimtarisë, për degëzimin e kompozitorëve të rinj, përmes zhanreve dhe formave të ndryshme të muzikës skenike. Ky ishte një konkurs që u zhvillua në nderim të figurës qendrore të fondit muzikor shqiptar, ikonës shqiptare të muzikës, kompozitori Çesk Zadeja, me rastin e 95- vjetorit të lindjes dhe 25-vjetorit të ndarjes nga jeta. ATA