Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete, prezantoi të mërkurën projektbuxhetin e vitit 2024, ku theksin e vendosi tek mbështetja për ish-të përndjekurit dhe ndihma ekonomike. Në fjalën e tij, përpara deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, që u zhvillua online, Mete tha se “në projektbuxhetin e vitit 2024 janë parashikuar të shpenzohen 735.9 miliardë lekë ose 30.2% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje në vlerë absolute prej 30.4 miliardë lekë krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2023. Siç u përmend, shpenzimet Buxhetore për vitin 2024 mbështesin politikën e rritjes së pagave në administratën publike qendrore e vendore. Shpenzimet e personelit për vitin 2024 janë programuar në masën 119.7 miliardë lekë ose 4.9% e Produktit të Brendshëm Bruto”. “Ky projektbuxhet financon një vëllim të konsiderueshëm investimesh publike me 5.3% të PBB, ose 128.5 miliardë lekë, në linjë edhe me strategjitë sektoriale të zhvillimit. Në këtë fond, përfshihet dhe fondi i rindërtimit nga tërmeti në shumën 7 miliardë lekë. Në planifikimin e investimeve për vitin 2024, fokusi mbetet financimi i projekteve të investimeve publike në fushën e transportit rrugor, detar, hekurudhor, zhvillimi urban dhe rajonal, ujësjellës kanalizime, trashëgimia kulturore dhe turizmit”, vijoi ai. Sipas ministrit të Financave dhe Ekonomisë, “shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2024 parashikohen në masën 63.2 miliardë lekë ose rreth 2.6% të Produktit të Brendshëm Bruto. Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave të qeverisë si: skema e mbështetjes së fermerëve, mirëmbajtja e rrugëve nacionale, mirëmbajtja e sistemeve të teknologjisë së informacionit, zhvillimi i turizmit dhe mbështetja për arsimin e sportin”. “Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.85 miliardë lekë me një rritje të lehtë nga buxheti i rishikuar i vitit 2023. Kjo rritje i dedikohet zbatimit të skemës së garancisë rinore, e cila në bashkëfinancim me Bashkimin Europian, synon të sigurojë një ofertë cilësore punësimi për të rinjtë e moshës 16-29 vjeç, të regjistruar si punëkërkues të papunë. Shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 249 miliardë lekë ose 10.2% e Produktit të Brendshëm Bruto. Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2024, parashikohet në masën 178 miliardë lekë ose 7.3% e Produktit të Brendshëm Bruto. Nga fy fond, krahas indeksimit të pensioneve, është parashikuar edhe bonusi i fundvitit, nga të cilët pritet të përfitojnë rreth 717,370 pensionistë”, tha Mete. “Për sa i përket shpenzimeve të Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, ato parashikohen në masën 58 miliardë lekë ose 2.4% e Produktit të Brendshëm Bruto. Dhe Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve i cili parashikohet në masën 5 miliardë lekë. Në zërin e Shpenzimeve të tjera sociale do të përmendja: Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 800 milionë lekë. Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 26.25 miliardë lekë. Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1.2 miliardë lekë. Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.2 miliardë lekë”, tha Mete. Ai foli edhe për buxhetin vendor. “Shpenzimet për këtë nivel qeverisje për vitin 2024, janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4% në raport me buxhetin e vitit 2023. Këto shpenzime për vitin 2024, zënë rreth 3% të PBB-së. Pjesë e rëndësishme e buxhetit të pushtetit vendor është granti i qeverisjes qendrore për njësitë vendore në masën 36.5 miliardë lekë. Transferta e pakushtëzuar për vitin 2024 është në masën 24.3 miliardë lekë. Përtej këtyre niveleve, nën Ministrinë e Mbrojtjes për vitin 2024 është alokuar një fond prej 2.5 miliardë lekë, në portofolin e buxhetit vendor, si transfertë e kushtëzuar për emergjencat civile, ku nga këto 500 milionë lekë jepen për investime dhe rikonstruksione në funksion të rritjes së sigurisë e digave të ujëmbledhësve”, tha Mete.
Buxheti 2024, fondet e parashikuara për ish-të përndjekurit dhe ndihmën ekonomike
RELATED ARTICLES