Raporti i stabilitetit financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij.
Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, veprimtaria e sistemit financiar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme.
Zgjerimi i aktivitetit të sektorit bankar u përshpejtua, me kontribut kryesor nga rritjet e depozitave dhe të kapitalit, të cilat u orientuan kryesisht drejt kreditimit dhe investimeve në tituj.
Rezultati financiar neto i sektorit bankar ishte pozitiv dhe disi më i ulët se ai i një viti më parë.
Rreziqet që burojnë nga ndërlidhjet mes sektorit bankar dhe segmenteve të tjera të sistemit financiar, si edhe ato të veprimtarisë së vetë sektorit bankar, vlerësohen në nivele të kontrolluara. Treguesit e rezistencës financiare dhe ushtrimet e provës së rezistencës, tregojnë se sektori bankar është i qëndrueshëm ndaj rreziqeve të identifikuara. Megjithatë, mbetet e nevojshme që bankat të forcojnë sistemet e tyre të parandalimit dhe të administrimit të rreziqeve, të testojnë rregullisht rezistencën ndaj tyre, si dhe të ruajnë nivelet e përshtatshme të kapitalizimit të veprimtarisë.
Zhvillimet ekonomike gjatë periudhës ishin pozitive, ndikuar nga ecuria e mirë e konsumit dhe investimeve, dhe performanca e qëndrueshme pozitive e sektorit të turizmit.
Rritja ekonomike u shoqërua me ulje të papunësisë dhe rritje të punësimit e të pagave. Politika fiskale mbeti e kujdesshme dhe pesha e borxhit publik në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), vijoi të bjerë. Presionet inflacioniste kanë mbetur nën objektivin e Bankës së Shqipërisë.
Rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishme dhe lidhen kryesisht me pasigurinë e lartë që paraqesin aktualisht zhvillimet ndërkombëtare. Në këto kushte, mbetet e rëndësishme që politikat ekonomike dhe financiare të autoriteteve publike dhe veprimet e pjesëmarrësve të tregjeve të synojnë ruajtjen e rezervave financiare dhe drejtimin me efektivitet të investimeve të tyre.
Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së miratoi disa ndryshime të rregulloreve të Bankës së Shqipërisë lidhur me licencimin e bankave, subjekteve financiare jobanka, institucioneve të pagesave dhe institucioneve të parasë elektronike, shoqërive të kursim-kreditit, si edhe me kuadrin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Ndryshimet e miratuara synojnë përmirësimin dhe forcimin e mëtejshëm të kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës, në përputhje me standardet ndërkombëtare për një mbikëqyrje efektive, duke synuar kryesisht zbatueshmërinë e rekomandimeve të ekspertëve të Moneyval.
Konkretisht, këto ndryshime adresojnë përfshirjen dhe qartësimin e koncepteve “reputacion i mirë” dhe “pronar përfitues”, forcimin e kërkesave mbi integritetin dhe reputacionin e zotëruesve të kapitalit, përfshirë pronarët përfitues, si dhe përfshirjen e detyrimit për konsultimin e listave të OKB-së dhe Bashkimit Evropian në funksion të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Gjithashtu, ato synojnë qartësimin e kërkesave rregullative lidhur me afatet dhe të drejtën e riparaqitjes së kërkesave për licencim, përmirësimin e kërkesave për dokumentacionin e nevojshëm në vlerësimin e përshtatshmërisë së strukturave të pronësisë dhe drejtimit, si dhe rregullimin e aspekteve që lidhen me ndryshimet në strukturën e kapitalit të subjekteve financiare jobanka, përfshirë blerjen, shitjen apo transferimin e pjesëmarrjes influencuese, si dhe pezullimin apo revokimin e licencës.





