Banka e Shqipërisë bën të ditur se, industria bankare është likuide dhe e mirëkapitalizuar, për të vijuar mbështetjen e rritjes ekonomike të vendit edhe në të ardhmen. Në raportin e Këshillit Mbikëqyrës, BSH-ja thekson se, një nga përgjegjësitë kryesore të saj është të garantojë furnizimin e ekonomisë me para të gatshme dhe sistemi bankar në vend, rezulton me tregues të mirë të likuiditetit, kapitalit, portofolit të kredive, për t’iu përgjigjur kërkesave të ekonomisë në këtë drejtim. Plotësimi i kërkesës së tregut për para fizike është mbështetur nëpërmjet sigurimit dhe planifikimit të stokut të mjaftueshëm të parasë në Bankën e Shqipërisë, e cila jep siguri jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen. Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare është transmetuar në tregjet financiare, duke sjellë një rritje të përgjithshme të normave të interesit të depozitave, të kredive dhe të letrave më vlerë të qeverisë. “Gjithashtu në mbështetje të ekonomisë, kredia për sektorin privat ka vijuar të shënojë rritje, duke mbuluar kërkesat për fonde të biznesit dhe familjeve shqiptare, si dhe duke stimuluar zgjerimin e konsumit e të investimeve”, thekson BSH-ja. Sipas statistikave të BSH-së, për muajin prill kredia e re për ekonominë shënoi vlerën 22.8 miliardë lekë. Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, për gjashtë mujorin e parë të këtij viti, sektori bankar dha 139.6 miliardë lekë kredi, në rritje me 2.6 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kreditë me probleme zbritën në nivelin 5.2 % në fund të muajit maj dhe sektori bankar rriti fitimet në fund të gjashtëmujorit në 13.6 miliardë lekë, ose 5.7 miliardë lekë më shumë se në 2022. ATSH
BSH: Industria bankare likuide për financimin e ekonomisë
RELATED ARTICLES