Sipas Bankës së Shqipërisë, ndër arsyet që kanë ndikuar në refuzimin e kërkesave janë historiku negativ në shlyerjen e kredive, shqetësimet për mungesën e të ardhurave të mjaftueshme për shlyerjen e huave të reja, si edhe një qasje më e kujdesshme e bankave në kredidhënie.

Individët kanë përbërë pjesën më të madhe të aplikimeve, me 81 239 kërkesa gjatë gjashtëmujorit të parë, nga të cilat 26 321 janë refuzuar.

Ndërsa bizneset kanë paraqitur 9 141 aplikime për kredi, prej të cilave 1 398 nuk janë miratuar.

Norma e refuzimit është më e lartë te bankat me kapital të huaj, në 38, 3%, ndërsa te bankat me kapital vendas është 11,1%.

Të dhënat tregojnë gjithashtu për një rritje të volumit të kredive të reja të miratuara. Në tetë muajt e parë të vitit, bankat kanë aprovuar 301,5 miliardë lekë kredi të reja për individët dhe bizneset, nga 272,6 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo përfaqëson një rritje prej 28,9 miliardë lekësh të volumit të kredive të reja të miratuara në krahasim me tetëmujorin e vitit 2025.