Sipas Departamentit për Arsim, masa synon që shkollat të jenë pa telefona gjatë gjithë ditës mësimore.
Ndërkohë, sekretarja e Arsimit, Bridget Phillipson ka bërë thirrje më herët, që institucionet arsimore të ndjekin udhëzimet për ndalimin e plotë të tyre.
Opozita konservatore e mirëpriti nismën, ndërsa kërkon një ndalim të drejtpërdrejtë me ligj.
Edhe Liberal Demokratët kërkuan që qeveria të sigurojë mbështetje financiare për zbatimin e masës.
Shumica e shkollave në Britani të Madhe i kanë ndaluar telefonat, ndërsa inspektimet e “Ofsted” (Zyra për Standardet në Arsim, Shërbimet dhe Aftësitë për Fëmijët), do të monitorojnë politikat përkatëse nga muaji prill.
Projektligji konsiderohet si një nga reformat më të mëdha për mbrojtjen e fëmijëve ndër dekada, ndërsa pritet të përfshijë edhe përjashtime të kufizuara, si për nxënësit e ciklit të lartë apo për përdorime mjekësore.





