Qyteti i Beratit ka tërhequr një numër shumë të lartë turistësh vendas e të huaj gjatë këtij viti. I njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, Berati është ndër qytetet më të preferuara të turistëve. Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha sot për ATSH-në se “nga janari deri tani në fund të gushtit rreth 270 mijë turistë vendas e të huaj e kanë vizituar Beratin, ku fluksi më i lartë ka qenë në muajt maj-gusht”. “Gjatë këtij viti ka pasur një rritje të jashtëzakonshme të numrit të vizitorëve gati 70% më shumë se vitet e kaluara”, theksoi Merdani. Sipas saj, turistët janë kryesisht nga Italia, Spanja, Polonia, Franca, Gjermania, Egjipti, Amerika, etj. “Përveç kalasë, në qytet më të vizituarat janë patjetër Kanionet e Osumit, kantinat e qytetit, muzeumet Onufri, Etnografik dhe Solomon. Një vëmendje të veçantë zënë edhe objektet e kultit, si kishat dhe xhamitë”, tha Merdani. Merdani u shpreh se “këtë vit bashkia e Beratit ka organizuar edhe edhe një sërë aktivitetesh çdo fundjavë si teatër kukullash, teatër për të rritur, fundjavat e muzikës live në pedonale, festa e miqësisë, ekspozita, etj, të cilat kanë sjellë një numër të lartë turistësh në qytetin e një mbi një dritareve”. Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit. Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës. Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë.https://ata.gov.al/2022/08/23/berati-fluks-turistesh-merdani-per-atsh-ne-rreth-270-mije-ne-janar-gusht/
Berati fluks turistësh-Rreth 270 mijë në Janar-Gusht
RELATED ARTICLES