Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mosplotësimit të kërkesave për hapa të menjëhershëm nga qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri, sipas Radio Evropa e Lirë (REL). Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë, dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes. Sanksioni tjetër pritet të përfshijë punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Tashmë është pezulluar takimi i një nën-komisioni, atij për tregti, industri, doganë dhe taksa i cili duhej të mbahej me 8 qershor, por që nuk është zhvilluar. Takimi i radhës, i cili pritet të pezullohet, është ai më 21 dhe 22 qershor, i nën-komisionit për drejtësi, liri dhe siguri. Do të ketë edhe pasoja financiare për Kosovën. Është planifikuar një pezullim domethënës i financimit nga ana BE-së i disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor. BE, si sanksion ndaj Kosovës, ka parashikuar të ulë edhe nivelin e pranisë publike në zhvillimet dhe ngjarjet e përbashkëta ku marrin pjesë anëtarët e qeverisë së Kosovës. Kjo masë pritet të përfshijë edhe takimet në kuadër të bashkëpunimit financiar. Burimet diplomatike thanë se angazhimi me autoritetet e Kosovës në të gjitha këto fusha do të kthehet në nivel normal sapo qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa që BE-ja i pret në kuadër të dialogut, të cilat janë shprehur në disa prononcime publike. Kërkesa kryesore është tërheqja e njësive speciale të policisë nga ndërtesat e komunave në veri dhe shpallja e zgjedhjeve të reja lokale. atsh
BE përgatit paketë sanksionesh ndaj Kosovës
RELATED ARTICLES