Drejtoresha e përgjithshme ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Mimoza Kaçi zhvilloi një takim me ekipin e misionit të Bankës Botërore për programin e Zhvillimit dhe Qëndrueshmërisë Financiare, të drejtuar nga Rekha Reddy, në rolin e saj të ri si menaxhere e programit.

Në takim u diskutua mbi ecurinë e aktiviteteve në zbatim të programit të asistencës teknike, zhvillimet në tregjet nën mbikëqyrjen e Autoritetit, nismat për financat e gjelbra, si edhe bashkëpunimi në kuadër të programit për sigurimet në bujqësi.

Kaçi e njohu ekipin e Bankës Botërore me zhvillimet kryesore të tregjeve nën mbikëqyrjen e Autoritetit, si edhe avancimet në drejtim të përafrimit të mëtejshëm me kuadrin ligjor dhe direktivat evropiane, si edhe standardet më të mira mbikëqyrëse.

Kaçi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të dhënë nga BB, si edhe vuri në dukje disa nga drejtimet kryesore për vijimin e bashkëpunimit.

Ekipi i Bankës Botërore vlerësoi avancimet në drejtim të harmonizimit të legjislacionit me kuadrin ligjor evropian dhe implementimin e praktikave më të mira në mbikëqyrje, ndërsa shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me Autoritetin.